BallinaFaktometerE PavërtetëKodi ynë gjenetik është pjesë e një evolucioni dhe jo nga një planet tjetër

Kodi ynë gjenetik është pjesë e një evolucioni dhe jo nga një planet tjetër

Pak kohë më parë, qarkulloi në rrjetet sociale dhe mediat shqiptare teroria e një ‘studiueseje’ të shkencave okulte se prejardhja e njerëzve vjen nga një planet tjetër dhe bashkimi ynë gjenetik është i përbërë nga disa pjesëza të tjera më të avancuara. Sipas këtij pretendimi, edhe drejtuesit e qeverive dhe shteteve përzgjidheshin nga dikush që ka kontakt me alienët. Por nga verifikimi i Faktoje, del se gjetjet që rezultojnë të pabazuara në fakte, janë bërë nga një person i pakualifikuar në fushën e gjenetikës.

Patris Pustina

“Të gjithë jemi nga një tjetër planet. Bashkimi ynë gjenetik është pjesë e disa pjesëzave të tjera që janë shumë më të avancuara se ne.”

Kështu tha “studiuesja e shkencave okulte” Pranvera Xhafa e ftuar në një emision pasditeje më 4 Korrik 2022.

Për të kuptuar se sa i vërtëtë është ky pretendim që ka bërë xhiron e portaleve dhe mediave në Shqipëri, duke dizinformuar audiencën, Faktoje iu referua disa të dhënave shkencore të njohura botërisht. Përshembull, “bashkimi gjenetik” që përbën çdo individ përcaktohet jo vetëm nga paraardhësit e tij direktë, pra prindërit, por edhe nga një histori e gjatë evolucionare prej miliona vjetësh. Kështu, gjenomi i njeriut, homo sapiens, ndryshon vetëm në 2% të tij nga gjenomi i shimpanzeve, kushërinjtë tanë më të afërt në pemën evolucionare.

Për më tepër, njerëzit dhe minjtë ngjasojnë në afërsisht 70% të sekuencave gjenetike që përmbajnë ‘udhëzimet’ për prodhimin e proteinave. Ky përngjasim gjenetik na jep mundësinë që mjekimet e përdorura nga njerëzit të provohen fillimisht tek minjtë.

Megjithëse termi “të avancuara”, i përdorur nga zonja Xhafa, nuk ka një përkufizim shkencor, dhe mbetet, kështu, subjektiv, pakkush do t’i cilësonte shimpanzetë dhe minjtë si “më të avancuar se ne njerëzit”.

Kështu, kodi gjenetik që gjendet në bërthamën e çdo qelize njerëzore, dëshmon për origjinën tokësore të njeriut. Ai përmban një gjenealogji që na lidh më shumë nga gjallesat e tjera në këtë planet.

Teoritë konspirative

Gjatë kërkimeve për Faktoje, konstatuam se teoria e zonjës Pranvera Xhafa duket se është frymëzuar nga Zecharia Sitchin, autor i njohur i librave konspiracionistë. Ndër bindjet e Sitchin spikat ekzistenca e një planeti përtej Neptunit të quajtur Nibiru, planet nga i cili vjen raca aliene e cila ‘krijoi’ homo sapiens për t’i përdorur si skllevër në Sumerinë e lashtë. Pavarësisht këtyre teorive të guximshme, Sitchin, ashtu si zonja Xhafa, nuk ishte as historian, as shkencëtar.

Në vitin 2001, Sitchin pretendonte se 223 gjene (më pak se 0.9%) të gjenomit njerëzor të cilat nuk kishin një paraardhës të nevojshëm në pemën evolucionare gjenetike ishin, në të vërtetë, ‘ADN aliene’. Hipoteza fillestare e shkencëtarëve të International Human Genome Sequencing Consortium, puna e të cilëve bëri të mundur sekuencimin e gjenomit njerëzor në Shkurt të 2001, ishte se këto gjene ekzistojnë në gjenomin tonë si pasojë e transferimit ‘horizontal’ nga bakteret, duke qenë se këto gjene gjenden vetëm tek bakteret. Studime që pasuan të publikuara në revistën “Science” shtruan hipotezën se prejardhja ‘misterioze’ e këtyre gjeneve mund të shpjegohet nga një sërë faktorësh. Këta përfshijnë dukurinë që njihet si ‘humbja e gjeneve’ dhe faktin që shumë pak gjenome të specieve të Tokës janë sekuencuar, gjë që e bën databazën e përdorur nga shkencëtarët për krahasim shumë më të vogël se ç’është në realitet. Gjetjet i përkasin revistës Nature Reviwes Genetics, e cila publikon punët kërkimore apo studime nga profesionistë të fushës dhe ku redaktorët janë doktorë shkencash në fushën e gjenetikës.  Këto shpjegime vënë në pah kufinjtë e shkencës dhe dijes njerëzore deri tani. Ndoshta për këtë arsye ato nuk janë aq të kënaqshme apo tërheqëse sa ‘teoria konspiracioniste’ që i ofron njeriut një prejardhje jashtëtokësore.

Ndërkohë nga një kontroll në profilin e Pranvera Xhafës duket se nuk ka ndonjë kualifikim shkencor, qoftë në biologji, gjenetikë, apo astronomi. Në gamën e ekspertizës së saj, ajo përfshin herbalizmin, okultizmin, ‘shërimin e energjisë’, kozmetikën dhe estetikën.

Profili zytar i Pranvera Xhafa në Instagram

Pavarësisht mungesës së kualifikimeve, Xhafa është e ftuar e rregullt në një numër mediash. E vetmja eksperiencë që rezulton në profilin e saj Linked In është masazhoterapiste. Pretendimet e saj konspiracioniste tërheqin vëmendje lehtësisht duke krijuar mjaft hapësira për informacione dhe teori keqinformuese, por ia vlen të mendohet për cfarë kostoje ka sensacionalizmi mediatik që gjeneron ajo dhe të tjerë të ngjashëm.

Hapësira mediatike e bollshme që u jepet personave të pakualifikuar të flasin për çështje të çfarëdolloji shërben për të ‘turbulluar ujërat’. Kështu, krijohen artificialisht ‘diskutime’ në kulturën e gjerë mbi tema që, për shkencëtarët dhe akademikët, janë të pakontestueshme, si teoria e evolucionit apo rrumbullakësia e planetit Tokë (një tjetër fakt që kundërshtohet nga zonja Xhafa).

Dëmi që shkakton ky fenomen rëndohet kur audienca ka një nivel të ulët aftësie në lexim dhe arsyetim. Fatkeqësisht, sipas një raporti të Bankës Botërore, mbi 50% e 15-vjeçarëve shqiptarë janë ‘analfabetë funksionalë’. Kjo do të thotë se aftësitë e tyre janë të pamjaftueshme për të menaxhuar detyrat e përditshme të jetesës dhe punësimit që kërkojnë aftësi leximi përtej nivelit bazë. Shtuar kësaj, audiencat shqiptare janë cilësuar si me “potencial të ulët për t’i bërë ballë efekteve të lajmeve të rreme dhe dezinformimit kryesisht për shkak të performancës së dobët në lirinë e medias dhe edukim.” Këto audienca janë, kështu, veçanërisht vulnerabël ndaj ‘erozionit të së vërtetës’.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img