BallinaFaktometerE vërtetëIlir Meta fitoi “bastin”, qëndroi president deri në fund të mandatit

Ilir Meta fitoi “bastin”, qëndroi president deri në fund të mandatit

Në prill të 2017, Kuvendi zgjodhi Ilir Metën si president të Republikës së Shqipërisë me mbështetjen e plotë nga mazhoranca socialiste. Por, dy vite më vonë, përplasjet e vazhdueshme dhe akuzat për shkelje të Kushtetutës, vunë në diskutim të ardhmen e tij në krye të shtetit deri në përfundim të mandatit. Në konferenca dhe intervista Meta shprehej i vendosur se ai do largohej nga presidenca më 24 korrik 2022, një bast që konsiderohet “i fituar”.

————————————————————————————–

Në korrik të vitit 2019, presidenti Ilir Meta, nëpërmjet zëdhënësit, Tedi Blushi shprehu i vendosur qëndrimin e tij për të mbajtur detyrën si kreu i shtetit deri në përfundim të mandatit.

“Ilir Meta do të jetë President i Republikës deri në 24 korrik 2022”, theksonte Tedi Blushi 3 vite më parë.

Këtë deklaratë, presidenti Meta e përfocoi edhe tre muaj më vonë, i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel.

“Se çfarë do të bëjë mazhoranca unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi. Unë e di që jam këtu në këtë zyrë ku jeni edhe ju sot dhe i gatshëm me ju edhe më datën 24 korrik 2022 të bëjmë një intervistë përmbyllëse”, shprehej Meta në tetor të 2019-s.

Në shtator të 2019-s, ai shkruante: “Shumë i lumtur që m’u dha sot mundësia të kthehem në Parlament pas një mungese gati dyvjeçare, për të rikonfirmuar edhe njëherë se deri në 24 korrik 2022, Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë, pluralizmit, interesit kombëtar dhe atij publik, me qëllimin e vetëm anëtarësimin e shpejtë dhe pa vonesa të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Përplasja mes dy drejtuesëve kryesorë në vend, Ilir Metës dhe kryeministrit Edi Rama u thellua që në janar të vitit 2019, pasi Presidenti refuzoi të dekretojë Gent Cakajn si ministër të jashtëm. Ky vendim i Presidentit u pasua nga akuza dhe tensione të forta mes tyre, të cilat nuk u ndalën edhe gjatë tre viteve të vijuese në drejtim të këtij institucioni nga Meta.

Vendosmëria e tij u përforcua në mars të vitit 2020, pas tubimit të thirrur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Mos u lodhni kot me konspiracione! Jam Presidenti i Republikës dhe lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës, lirisë dhe demokracisë! Ky është projekti im i vetëm deri në 24 korrik 2022!” shkruante Meta në Facebook më 4 mars të 2020-s.

Screenshot nga Facebook-u i Presidentit Meta

Në qershor të vitit 2021, pas konkluzioneve të komisionit hetimor parlamentar, me 104 vota pro, Kuvendi vendosi shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, ndërsa vendimi final për “fatin e tij” mbeti në dorë të Gjykatës Kushtetuese.

Por, edhe pas këtij vendimi, në daljet e tij televizive, apo edhe në konferenca për shtyp, Meta vazhdonte t’i përcillte “mesazhe” kryeministrit Rama dhe mazhorancës se do të qëndronte në zyrë deri më 24 korrik.

“Presidenti ka qenë dhe mbetet gjithmonë në krye të detyrës. Sjellja e tij (Rama), qëndrimet e tij kanë qenë, janë dhe do të jenë deri në 24 korrik të diktuara nga rrethanat në të cilat ai ushtron aktivitetin e tij, gjithmonë në respekt të Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Meta në nëntor të 2021, i ftuar në “Ora News”.

Në lidhje me të ardhmen e Metës në krye të Shtetit, Gjykata Kushtetuese vendosi më 17 shkurt të këtij viti se “Presidenti do të qëndrojë në krye të detyrës deri në përfundimin të mandatit”.

Edhe pse “beteja” me kryeministrin Rama dhe mazhorancën u mbyll në favor të Metës, marrëdhënia institucionale mbeti e tensionuar, ndërsa kreu i Shtetit vijonte sfidën e tij dhe në maj të 2022 shkruante “Unë i mbaj premtimet dhe ju kam thënë se deri në 24 korrik, ky institucion do jetë një kështjellë. Unë nuk mendoj se jam në gjendje të bëj çdo gjë, nuk kam aftësi çudibërëse. Por sigurisht përderisa ata ishin të vendosur t’i japin të gjitha pushtetet një qeverie gangstere. Ju do thoni pse nuk jam larguar që në 26 prill? Sepse kam bërë betim mbi Kushtetutë”.

Në 25 maj 2022, Meta deklaroi se pavarësisht faktit se Kuvendi do të zgjedhë një president të ri, ai do të vazhdojë ta bëjë punën deri më 24 korrik.

“Besoj se parlamenti i di detyrimet dhe do ta përmbushë me përgjegjësi maksimale brenda kohës së duhur këtë detyrim kushtetues. Parlamenti do të bëjë punën e tij dhe unë do të vazhdoj të bëj punën time me shumë përkushtim deri më 24 korrik”, tha Meta.

Në 4 qershor të këtij viti, Kuvendi zgjodhi me 78 vota presidentin e ri, ish-gjeneralin Bajram Begaj, i cili nis detyrën, pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual Ilir Meta më 24 korrik.

Zhvillimet në lidhje me presidentin Meta nuk u shuan as pas këtij vendimi. Në 7 qershor, ish-deputeti Halit Valteri kallëzoi në SPAK Metën për korrupsion.

Në lidhje me këtë akuzë, kreu i Shtetit deklaroi më 26 qershor se asgjë nuk e shpërqendron nga detyra si President i vendit deri më 24 korrik.

“Këto lajme absurde si vetë personazhet që i njihni te gjithë, nuk krijojnë asnjë shpërqendrim nga detyrat e presidenti deri në datën 24 korrik, por edhe nga angazhimet e Metës duke nisur nga 25 korriku”, u shpreh Meta.

Pavarësisht gjithë tensioneve dhe përplasjeve, jo pa kosto për klimën politike, Ilir Meta fitoi bastin për përfundimin e mandatit në krye të presidencës.

*Foto kryesore marrë nga faqja e Presidencës

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img