MARJO BRAKAJ
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se “Qeveria Rama” ka krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja në vendin tonë. Por a është e vërtetë kjo? “Faktoje” ballafaqoi deklaratën e Ballukut me raportet e Ambasadës Amerikane, Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe raportin e Bankës Botërore.
……………………………………………………………………………………………………………………………….
Në një takim me Sekretarin Amerikan të Energjisë, Dan Brouillette më 8 shkurt të këtij viti, në Uashington, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se “Qeveria Rama ka krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja”. Ndër të tjera Balluku e garantoi Sekretarin Brouillete se investitorët amerikanë do të gjejnë në Shqipëri mbështetjen e qeverisë për të bërë biznes në kushte optimale.
Por 2 ditë pas kësaj deklarate të Ballukut në Uashington, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, më 10 shkurt deklaroi se klima e biznesit në Shqipëri nuk është e favorshme duke e vënë theksin tek mungesa e zbatimit të ligjit. Ndër të tjera Jaço theksoi se Shqipëria renditet e 82-a në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë, renditen ndjeshëm më lart (Mali i Zi renditet në vendin e 50, Kosova e 57-a, Serbia e 44-a, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-a).
Shqetësimi përmes raportit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, u përforcua edhe nga një deklaratë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, Ambasada Amerikane deklaroi se klima e biznesit në Shqipëri pengon rritjen e investimeve të huaja. Ambasada këshillonte autoritetet shqiptare të marrin seriozisht ndryshimet e nevojshme me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja.
Përkeqësimin e klimës për investime e konfirmon edhe raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”. Shqipëria u rendit në vendin e 82 në rang global, me një rënie 19 vende krahasuar me vitin 2019.
Nisur nga gjetjet pas verifikimit të “Faktoje” vendosëm që deklaratën e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku, në Uashington, ta kategorizojmë si “Të pavërtetë”.