Kjo video e qindra traktorëve nuk tregon fermerët e Teksasit të mbledhur pranë kufirit meksikan për t’u bërë rezistencë agjentëve federalë. Pamjet janë nga protestat e fermerëve në Gjermani.

——————————————

Më 22 janar 2024, Gjykata e Lartë në ShBA vendosi në favor të administratës Biden, duke lejuar prerjen e telit me gjemba të vendosur përgjatë kufirit me Meksikën nga shteti amerikan i Texas për të parandaluar emigrimin. Guvernatori i Texas, Greg Abbott e sfidoi vendimin e gjykatës duke urdhëruar zgjatimin e telit me gjemba. Kjo ka çuar në tensione mes forcave ushtarake të shtetit të Teksasit dhe agjentëve federalë të Patrullës Kufitare.

Në mes të këtyre zhvillimeve, përdoruesit e rrjeteve sociale po shpërndajnë një video ku pretendohet se tregohen “fermerët në Teksas në kufirin me Meksikën” të mbledhur “për të mbrojtur kufirin nga agjentët e Biden”.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme ëshë ngarkuar fillimisht në TikTok më 14 janar 2024.

Në TikTok, video mban përshkrimin “video e protestës së fermerëve gjermanë.”

Fermerët gjermanë kanë nisur protestat që në Dhjetor 2023, pas vendimit të qeverisë për të ulur subvencionet dhe rritur taksat mbi naftën. Në Francë, prodhuesen më të madhe bujqësore të BE, gjithashtu, fermerët kanë bllokuar rrugët për të protestuar kundër rrogave të ulëta dhe burokracisë së tepruar.