BallinaFaktometerE PavërtetëBanorët e Kombinatit ironizojnë premtimet: Në shtëpi të re, për zgjedhjet e 2025-s

Banorët e Kombinatit ironizojnë premtimet: Në shtëpi të re, për zgjedhjet e 2025-s

Katër vite pas tërmetit të 26 nëntorit, banorët e lagjes Kombinat në Tiranë janë ende të pastrehë, pavarësisht premtimeve nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Disa banorë të Kombinatit thonë për Faktoje se pritja mund të zgjasë deri në 2025-n dhe me rastin e fushatës, ata të kenë më në fund një strehë mbi kokë. Aktualisht pallatet e reja që nga jashtë duken të përfunduar, janë ende të pabanueshëm, pasi ende ka punime për t’u kryer nga brenda, ndërsa jashtë mungojnë rrugët dhe kanalizimet.

Në shtator 2023, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përsëriti premtimin për strehim të banorëve të Kombinatit, të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

“Fokusin do ta kemi në Kombinat. Aty kanë përfunduar edhe 10 godina, kështu që aty do të fillojmë futjen e banorëve…Ndaj dua që tani të gjithë vëmendjen tonë ta çojmë në Kombinat…”, deklaroi ndër të tjera Veliaj.

Për të ndjekur këtë premtim jetik për qytetarët, ne bëmë një verifikim në terren më 24 janar. Në terren pamë që disa pallate në dukje ishin të përfunduar, mirëpo banorët nuk ishin future ende. Ata thanë për Faktoje se kanë përfunduar thjesht si struktura nga jashtë, pasi brenda banesave ka ende nevojë për punime.  

Pallatet në Kombinat, 24 janar 2024

“Këto pallate kanë filluar të parat dhe nuk kanë mbaruar. Pallati aty ngjitur ka një vit që ka mbaruar, është i kompletuar me banjo, me çdo gjë tjetër, por nuk ka rrymë elektrike brenda, nuk ka shkarkime, nuk ka rrugë për të shkuar. I ruajnë të na i japin për 2025 për votime, me u dhënë nga një votë!”, tregon një banor, i cili  prej vitit 2019 jeton me qira.

Një tjetër banor i tha Faktoje se edhe sikur pallatet të përfundojnë, aty nuk futet njeri të jetojë, pasi rruga është e pakalueshme.

Pallatet në Kombinat, 24 janar 2024

“Pallatet nuk kanë mbaruar, ka shumë gjëra që duhen bërë. Rruga po ashtu duhet rregulluar, a kalohet këtu?! Besoj se do dhe një vit të paktën që të mbarojë, që ne të futemi në banesa. Tani jemi me qira, na e paguan shteti”, tregon një 55-vjeçar.

Pallate në Kombinat, 24 janar 2024

Në të gjitha tabelat e punimeve në kantier, afatet ishin 17 muaj, por mungonte data e nisjes dhe e përfundimit, megjithatë në rastin e Kombinatit, punimet kanë nisur prej më shumë se 17 muajsh dhe janë shkelur të gjitha afatet për përfundimin e tyre.  

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës mbi afatet e përfundimit për procesin e rindërtimit, por deri në publikimin e artikulllit nuk morëm përgjigje, pavarësisht tejkalimit të afateve sipas ligjit për të drejtën e informimit.

Një vit më parë, Faktoje raportoi mbi procesin e rindërtimit në këtë zonë. Familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, në zonën e Kombinatit nuk i kishin ende në dorë çelësat e banesave të reja, pavarësisht premtimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në qershor 2022, ai deklaroi se brenda atij viti do të futeshin në banesat e reja familjet e para, të prekura nga tërmeti në zonën e Kombinatit.

“Tani që kemi hapur totalisht kantierin, në disa pjesë kemi avancuar dhe do të jemi gati për të futur këtë vit familjet e para, siç është ndërtesa pas meje”, deklaroi Veliaj.

Edhe në muajin dhjetor 2023, kryebashkiaku i Tiranës bëri një tjetër premtim për familjet e pastreha të Kombinatit.

“Nga fillimi i vitit tjetër, që në muajt janar dhe shkurt, do të hedhim shortin për familjet e para që do të futen këtu. Seksioni i parë fare është drejt përfundimit”, theksoi Veliaj në 16 dhjetor 2023.

Deri në fund të janarit, nga verifikimi rezulton se asgjë nuk ka ndryshuar.

Zona e Kombinatit pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit dhe si pasojë 1500 familje mbetën të pastreha.

Në korrik të vitit 2020, u prezantua plani i rindërtimit të Kombinatit.

“Ky projekt përfshin 1.5 milionë metra katrorë ndërtim. Është ndoshta ndërtimi më ambicioz i 100 viteve të Tiranës kryeqytet, ku do të akomodojë 21.534 njerëz. Ata që do të marrin shtëpitë e para janë vetëm 1/3 e një lagjeje, që potencialisht do të shkojë deri në 21 mijë banorë. Do të fillojë me fazën e parë me 2292 apartamente për 8500 qytetarët e Kombinatit të prekur nga tërmeti”, bëri të ditur Veliaj në atë kohë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img