Pretendimi: Shtëpia e aktorit besimtar e vetmja që i shpëtoi zjarreve në Los Angeles
Verdikti: E pavërtetë
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se shtëpia e aktorit John Cena në Los Angeles i shpëtoi flakëve, sepse ai është një besimtar.
Në videon e edituar duket aktori me Kuran në duar, një zonë e shkrumbuar nga flakët dhe një shtëpi që qëndron e paprekur nga flakët. E njëjta foto dhe postim janë bërë virale në ditët që pasuan zjarret shkatërrimtare në ShBA dhe debateve për shkakun e tyre.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Faktoje.al bëri një kërkim në lidhje me këto pretendime, ku rezulton se pamjet nuk janë nga zjarret që kanë përfshirë Los Angeles. Pamjet e shtëpisë i përkasin gushtit të vitit 2023. Foto është shkrepur në Maui, një ishull në Hawaii dhe u bë e njohur në rrjet pasi u pretendua gjatë zjarreve që prekën ishullin në gusht 2023 se ajo i përkiste kryebashkiakut të zonës.
Që prej këtij momenti pamja e kësaj shtëpie të shpëtuar në një lagje të kthyer në gërmadhë përdoren nga konspiracionistët për ta lidhur me ngjarje aktuale.
Në verifikime të bëra më herët nga kolegë në mediat e huaja theksohet se shtëpia i përket Atwater Millikin, një artiste që bën piktura të peizazheve bregdetare në New England dhe burrit të saj, një menaxher i dalë në pension. Ata kanë tre vite që kanë në pronësi shtëpinë, pasi kishin jetuar prej një dekade diku tjetër në Maui.
Prona 100-vjeçare ishte dikur një godinë për punonjësit e Pioneer Mill Co., një plantacion sheqeri që funksiononte në Lahaina duke filluar nga mesi i viteve 1800 dhe pronarët e shtëpive po kërkonin të rivendosnin disa nga tiparet origjinale të strukturës.
*Foto kryesore marrë nga USA Today