Sa i duhen një njeriu në Shqipëri për të përballuar ushqimin, strehimin, energjinë, transportin dhe nevojat e tjera bazë të jetës?
Sot nuk ka një përgjigje zyrtare për këtë pyetje.
Shqipëria ende nuk ka përcaktuar një vlerë të miratuar të minimumit jetik, edhe pse ky standard do të shërbente si pikë reference për politikat sociale, nga ndihma ekonomike dhe pensionet, te pagat dhe matja e varfërisë.
Mungesa e këtij standardi bëhet më e rëndësishme kur përballë saj vendosen të dhënat për varfërinë.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi 40% e popullsisë në Shqipëri, në vitin 2023 ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social gjatë periudhës së shqyrtuar. KLSH e krahason këtë vlerë me 21% të popullsisë në BE në vitin 2023.
Shifra e KLSH del nga auditimi për masat e marra në kuadër të Objektivit 1 të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ky raport thekson se për të njëjtin vit, sipas auditimit, buxheti shqiptar për mbrojtjen sociale ishte më pak se gjysma e mesatares së BE-së, e cila ishte 19.2% e PBB-së.
Megjithatë, raporti nuk e redukton problemin e varfërisë vetëm te niveli i shpenzimeve. KLSH ngre një çështje tjetër themelore: Shqipëria ende nuk ka një vlerë zyrtare të minimumit jetik, pavarësisht se kjo çështje është ngritur ndër vite nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Minimumi jetik është e vetmja rrugë sigurie e testuar, brenda arkitekturës së shtetit të mirëqenies e cila nuk synon vetëm individët në moshë pune por përfshin edhe të moshuarit”, vëren raporti i KLSH.
Për këtë arsye, KLSH rekomandon në audit që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me INSTAT dhe Ministrinë e Financave, të ndërmarrin hapat e nevojshëm për miratimin e një vlere zyrtare të minimumit jetik.
Sipas rekomandimit, kjo vlerë do të shërbente si bazë për përcaktimin e masës së ndihmës ekonomike, politikat e pagave, programet e mbrojtjes sociale dhe matjen e varfërisë e përjashtimit social.
Këtu, raporti evidenton edhe një mospërputhje mes KLSH-së dhe Ministrisë së Financave për përgjegjësinë mbi përcaktimin e minimumit jetik.
Ministria e Financave ka kërkuar të hiqet nga ky rekomandim, duke argumentuar se përllogaritja dhe miratimi i vlerës së minimumit jetik nuk janë në fushën e përgjegjësisë së saj.
Por KLSH vëren se nuk e ka marrë në konsideratë observacionin, duke argumentuar se përcaktimi i minimumit jetik kërkon bashkëpunim ndërinstitucional, edhe për shkak të ndikimit që kjo vlerë do të kishte në buxhetin e shtetit dhe në politikat publike.
Një debat i vjetër…
Çështja e minimumit jetik nuk është e re në debatin publik shqiptar.
Në vitin 2016, një studim i Avokatit të Popullit e përllogariste minimumin jetik në rreth 16 mijë lekë në muaj për frymë, duke argumentuar se kjo vlerë duhej të shërbente si bazë edhe për pagat, pensionet sociale, ndihmën ekonomike dhe përfitime të tjera sociale.
Në vitet e fundit, çështja është rikthyer edhe në debatin politik, veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e vendosi minimumin jetik prej 200 eurosh në muaj për frymë në programin ekonomik të opozitës.
Ai e bëri këtë premtim publik që në fillim të janarit 2025, duke deklaruar se, nëse do të vinte në qeverisje, do të vendoste “minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar”.
Sipas tij, kjo shumë që do të vendosej në muajt e parë të një qeverisjeje të drejtuar prej tij, do të përfshinte pensionistët, të papunët, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe kategori të tjera me të ardhura të ulëta.
Berisha e lidhi minimumin jetik edhe me masa të tjera sociale dhe ekonomike, ndër to rritjen e pensioneve dhe kthimin e TVSH-së për mallrat bazë për pensionistët dhe personat me të ardhura të ulëta.
Pavarësisht se në deklaratat e tij, shifra prej 200 eurosh u paraqit si një nivel minimal të ardhurash që shteti do të garantonte, ajo nuk u shoqërua me një përllogaritje të detajuar publike të kostos së ushqimit, strehimit, energjisë, transportit dhe nevojave të tjera bazë që do të përbënin këtë shumë.
Ndërkohë, nga ana tjetër qeveria nuk e ka mbështetur vendosjen e një vlere fikse të minimumit jetik pa një metodologji të përcaktuar.
Në dhjetor 2024, gjatë shqyrtimit në Kuvend të amendamenteve të opozitës për minimumin jetik, ish ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cilësoi propozimin prej 200 eurosh “aspak serioz”, duke argumentuar se një vlerë e tillë nuk mund të vendosej apriori, pa studim, vlerësim dhe një metodologji të dakordësuar.
Qasjen e qeverisë Koçiu e lidhi me politikat e punësimit dhe rritjen e të ardhurave, duke argumentuar se për personat që janë në gjendje të punojnë, zgjidhja duhet të jetë integrimi në tregun e punës dhe jo një përfitim i dhënë në mënyrë të përgjithshme nga shteti.
Ajo përmendi rritjen e pagës minimale, zgjerimin e skemës së ndihmës ekonomike dhe programet e punësimit si pjesë të kësaj qasjeje. Sipas saj, qëllimi është të thyhet cikli i varfërisë përmes punësimit dhe aftësimit, dhe jo të krijohet varësi nga ndihma shtetërore.
Megjithatë, qeveria nuk ka refuzuar diskutimin për përcaktimin e minimumit jetik.
Në tetor 2024, Këshilli i Ministrave i dha Kuvendit mendimin për dy projektligje joqeveritare që lidhen me përcaktimin e minimumit jetik dhe të kushteve e kritereve për përllogaritjen e tij.
Por kur çështja u shndërrua në një propozim konkret për një shumë prej 200 eurosh, qeveria votoi kundër amendamenteve të opozitës.
Më 3 dhjetor 2024, Kuvendi rrëzoi me shumicë votash amendamentin për përcaktimin e vlerës financiare të minimumit jetik.
Sa është minimumi jetik në vendet e rajonit dhe Europë
Në vendet e rajonit dhe të Europës, niveli i minimumit jetik ndryshon ndjeshëm, jo vetëm në varësi të kostos së jetesës por edhe metodologjisë së përdorur nga secili shtet.
Disa vende të rajonit publikojnë shportën minimale të konsumit.
Në Serbi, shporta minimale e konsumit arrin rreth 55.5 mijë dinarë, ose 473 euro në muaj, për një familje me tre persona, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shporta minimale për një familje me katër persona ishte rreth 65.5 mijë denarë, ose 1.065 euro, në fund të vitit 2025.

Në Malin e Zi, shporta minimale e konsumit ishte rreth 830 euro.
Në vendet e Bashkimit Europian, krahasimi mund të bëhet përmes pragut të rrezikut të varfërisë, i cili përcaktohet në 60% të të ardhurës mediane të disponueshme.
Sipas këtij treguesi, në vitin 2024 pragu mesatar në BE ishte rreth 1.079 euro në muaj për një të rritur të vetëm, por diferencat mes vendeve janë të mëdha: rreth 391 euro në Bullgari, nën 500 euro në Rumani, rreth 965 euro në Spanjë, 1.030 euro në Itali, 1.278 euro në Francë dhe rreth 1.381 euro në Gjermani, ndërsa në Luksemburg arrinte rreth 2.540 euro.
Këto shifra tregojnë se niveli i të ardhurave që konsiderohet i nevojshëm për të përmbushur nevojat bazë ndryshon ndjeshëm brenda Europës, por edhe se koncepti i minimumit jetik përdoret në forma të ndryshme nga shtetet.

Pse është i nevojshëm minimumi jetik në Shqipëri?
Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, përcaktimi i minimumit jetik është i nevojshëm për të krijuar një standard të matshëm mbi të cilin mund të ndërtohen politikat sociale dhe të vlerësohet nëse ato i përgjigjen realisht kostos së jetesës.
“Përcaktimi i vlerës zyrtare të minimumit jetik është detyrimi themelor i çdo politike sociale që synon të jetë e qëndrueshme dhe i çdo strategjie që pretendon të luftojë varfërinë në mënyrë efektive.”
Gjokutaj thotë për Faktoje se miratimi i minimumit jetik forcon sistemin e mbrojtjes sociale, i jep dinjitet politikave dhe sipas tij e kthen luftën kundër varfërisë nga deklaratë në realitet të matshëm dhe të qëndrueshëm.
Ai thotë se ky hap është urgjent dhe i nevojshëm për të ndërtuar një sistem që garanton siguri ekonomike për të gjithë qytetarët.
Gjokutaj i referohet edhe gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku gjithashtu evidentohet se në vitin 2023 vetëm 62% e personave në varfëri ekstreme përfitonin ndihmë ekonomike, ndërsa objektivi ishte mbulimi i plotë.
Sipas tij, mungesa e një standardi zyrtar e vështirëson edhe vlerësimin e efektivitetit të politikave sociale.
“Minimumi jetik shndërrohet në boshtin që lidh pagën minimale me të gjithë sistemin e mbrojtjes sociale. Ai siguron që çdo masë e ndërmarrë të mbështesë një jetë me dinjitet dhe të ndalojë rrëshqitjen e mëtejshme në varfëri”, argumenton Gjokutaj për Faktoje.al.
Duke iu referuar edhe analizave të ALTAX, ai thotë se një individ kërkon rreth 22–26 mijë lekë në muaj për të mbuluar nevojat bazë, ndërsa një familje me katër anëtarë 75–100 mijë lekë.
Për Gjokutajn, këto përllogaritje e bëjnë edhe më të rëndësishme vendosjen e një standardi zyrtar, pasi ai do të mundësonte krahasimin e të ardhurave dhe përfitimeve sociale me koston reale të jetesës.
“Me miratimin e këtij standardi, matja e varfërisë bëhet e saktë, vlerësimi i politikave bëhet i rreptë dhe shpërndarja e burimeve publike drejtohet me prioritet drejt atyre që kanë nevojë reale për mbështetje”, thotë Gjokutaj.






