Pretendimi: Kjo video është xhiruar pak çaste para se të zhdukej helikopteri i presidentit iranian Raisi
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon një video e presidentit iranian Raisi, me pretendimin se ajo tregon momentet përpara se helikopteri ku ai dhe 8 persona të tjerë po udhëtonin të rrëzohej me pasoja fatale për të gjithë pasagjerët.
Të dielën, më 19 maj 2024, presidenti iranian Ebrahim Raisi mbeti i vdekur kur helikopteri me të cilin ai po udhëtonte u rrëzua pranë rajonit Varzaqan. Të nëntë pasagjerët e helikopterit humbën jetën si pasojë.
Pa vonuar, rrjetet sociale u mbushën me imazhe dhe video të paverifikuara që pretendohej se tregonin detaje rreth ngjarjes.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar në Twitter nga Agjencia e Lajmeve të Republikës Islamike (IRNA) më 18 janar 2024.
Sipas postimit, video tregon vizitën e Raisit në Digën e liqenit Nimrod në qytetin Firuzkuh.
Mediat vendase raportuan në Janar 2024 mbi këtë vizitë, në të cilën Raisi ishte shoqëruar edhe nga Ministri iranian i Energjisë dhe guvernatori i Teheranit.