Pretendimi: Kjo foto tregon Bashar al-Assad në Moskë pasi mori azil nga Rusia në dhjetor 2024

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————-

Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al Assad në Siri në fund të nëntorit 2024, në media dhe portale shqipfolëse po qarkullon një fotopretendohet se tregon diktatorin sirian në Moskë në dhjetor 2024, pasi u arratis nga Siria dhe fitoi azil në Rusi.

Assad dhe familja e tij u arratisën në Rusi pas rënies së regjimit sirian si pasojë e një sulmi të fund-nëntorit nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe fraksione të tjera rebele aleate. Më 9 dhjetor, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Putin kishte vendosur personalisht t’i jepte azil politik Asadit dhe familjes së tij.

Megjithatë, foto që po qarkullon në media nuk tregon Assad në dhjetor 2024.

Foto është shkëputur në fakt nga një video e botuar në Youtube më 10 shkurt 2023, e cila tregon diktatorin sirian së bashku me gruan e tij Asma al-Assad, në Alepo, duke vizituar personat e prekur nga tërmeti i fortë që goditi zonën mes Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt 2023 duke shkaktuar 57 mijë të vdekur.