Një foto që tregon dy ushtare izraelite duke u lyer për t’u dukur si të plagosura po shpërndahet në rrjet si provë se Izraeli po përdor truke për të manipuluar opinionin publik gjatë konfliktit me Hamas. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto është nga 10 vite më parë dhe tregon ushtaret izraelite duke simuluar plagë si pjesë e një stërvitjeje.

—————————————————————

Foto e një ushtareje izraelite duke trukuar një tjetër me gjak të rremë po qarkullon në rrjet mes konfliktit Hamas-Izrael me pretendimin se ajo tregon taktikat e “sionistëve” për të manipuluar opinionin publik duke u viktimizuar.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme është publikuar në rrjet mbi 10 vite përpara përshkallëzimit të konfliktit Izrael-Hamas, në 7 tetor 2023. 

Ajo është botuar në Gusht 2012 si pjesë e një artikulli mbi gratë në ushtrinë izraelite (IDF). 

Foto tregon korporale Neta Elbaz, një instruktore traume në një spital në Tzirifin, Izrael. “Ajo gjithashtu përdor aftësitë e saj të mëparshme në make-up për të trukuar manekinët e simulimeve, madje edhe ushtarët, me plagë të rreme gjatë stërvitjeve,” shkruan artikulli.

Artikulli ku foto e mësipërme është shfaqur fillimisht

Në tre javët e fundit, që nga 7 tetori, përllogaritet të kenë humbur jetën mbi 1400 izraelitë dhe mbi 7000 palestinezë.