BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëDy rrugët e premtura në Sukth janë shtruar, por banorët nuk u njohin emrat

Dy rrugët e premtura në Sukth janë shtruar, por banorët nuk u njohin emrat

Në njësinë administrative Sukth përfundoi rikonstruksioni i dy rrugëve të premtuara nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. Rrugët u shërbejnë një komuniteti prej 850 banorësh, të cilët thonë se investime të tilla duhet të jenë të plota, ku të përfshihet ndërtimi i trotuareve dhe ndriçimi.

Në prill të këtij viti gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidatja për kryetare të Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako premtoi shtrimin e dy rrugëve në fshatin Vadardhë të njësisë administrative Sukth.

“Gjatë bashkëbisedimit me banorët e fshatit Vadardhë të njësisë administrative Sukth, iu bëra të ditur banorëve se së shpejti nis rikonstruksioni i rrugëve ‘Zef Ndreka’ dhe ‘Bosko’ me gjatësi 1.2 km.

Asfaltimi i këtyre rrugëve ka qenë kërkesë kryesore e banorëve të kësaj zone të cilën ne po e bëjmë realitet”, shkroi në Facebook kryebashkiakja e Durrësit.

Postimi i Sakos në Facebook, 23 prill 2023

Fillimisht, në lidhje me këtë premtim të Sakos, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Ne e pyetëm këtë institucion në lidhje me fazën e punimeve për rikonstruksionin e këtyre rrugëve dhe sa banorëve u shërbejnë këto rrugë.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 12 tetor 2023

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje që mban datën 19 tetor 2023, konfirmohet se rrugët janë në fazën e kolaudimit.   

“Rikonstruksioni i rrugës ‘Zef Ndreka’ në njësinë administrative Sukth është në fazën e kolaudimit Punimet e sistemit përfundimtar sipas kontratës priten të përfundojnë në fund të muajit tetor. Vlera e investimit të rrugës sipas kontratës është 7 217 280 lekë. Rruga u shërben 600 banorëve

Rikonstruksioni i rrugës ‘Bosko’ në njësinë administrative Sukth është në fazën e kolaudimit. Vlera e investimit të rrugës sipas kontratës është 3 016 800 lekë. Punimet e sistemit përfundimtar priten të përfundojnë në fund të muajit tetor. Rruga u shërben 250 banorëve”, njofton zyrtarisht Bashkia e Durrësit.

Për të parë ecurinë e punimeve, Faktoje bëri një verifikim në njësinë administrative Sukth më datë 20 tetor. Gjatë verifikimit konstatuam se asnjë prej rrugëve në njësinë administrative nuk mbante emër dhe gjetja e këtyre rrugëve ishte një sfidë më vete. Një banor me të cilin bisedoi Faktoje tha: “Kam 35 vite në Sukth dhe këto dy rrugë nuk i kam dëgjuar”.

Ne kërkuam ndihmën e njësisë administrative Sukth, për të gjetur vendndodhjen e tyre. Të dyja rrugët e lagjeve ishin përballë njëra-tjetrës, në një prej kryqëzimeve të fshatit Vadardhë në njësinë administrative Sukth.

Xhevahir Çaushi, specialist shërbimi në njësinë administrative Sukth dha detaje në lidhje me rikonstruksionin e rrugëve ‘Zef Ndreka’ dhe ‘Bosko’.

“300 metër linear është rruga ‘Bosko’, ndërsa rruga ‘Zef Ndreka’ është 900 metër. Para dy muajsh ka nisur puna për rikonstruksionin e tyre”, sqaroi ai.

Rruga Bosko, Sukth, 20 tetor 2023

Banorë të zonës thanë se shtrimi i këtyre rrugëve është një hap i mirë, por sipas tyre, duhet të ishin bërë trotuaret dhe të vendosej ndriçimi.

“Shyqyr që i shtruan rrugët, pavarësisht se duket sikur i kanë bërë copa-copa. Përshembull nuk ka trotuare anash rrugës, kanalet nuk janë mbyllur, ndriçim nuk ka. Megjithatë është një gjë e mirë që e bënë një hap të paktën. Ndoshta më vonë do i bëjnë dhe këto të tjerat”, thanë banorë të Sukthit për Faktoje.

Rruga “Zef Ndreka”, Sukth, 23 tetor 2023

Nisur nga verifikimi i kryer vendosëm që premtimin për rikonstruksionin e 2  rrugëve në Sukth ta kategorizojmë deri tani të mbajtur, por do të vijojmë monitorimin edhe pas përfundimit të kontratës së punimeve.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img