Pretendimi: Kjo video tregon çanta dhe orë luksi që po shiten në rrugët e Francës pas bastisjes së dyqaneve luksoze gjatë protestave studentore në Francë në tetor 2026
Verdikti: Mungon koteksti
————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon çanta dhe orë luksi që kanë dalë për shitje në rrugët e Francës pas bastisjes së dyqaneve luksoze gjatë protestave kundër kostos së lartë të jetesës në Francë në tetor 2026.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në rrjet nga gazetari polak dhe blogeri i udhëtimeve Tomasz Słodki më 29 shtator, përpara bastisjes së dyqaneve luksoze më 17 tetor.

Postimi origjinal është etiketuar si i filmuar në Madrid, kryeqytetin spanjoll. Përshkrimi që shoqëron videon shkruan: “Manteros në veprim.”
Në fakt, fjala ‘Madrid’ shfaqet në një autobus që kalon në sfond të videos. Disa sekonda më vonë, në video shfaqet një tabelë metroje ku shkruhet ‘Gran Via’.

Duke krahasuar pamjet në video me pamjet nga Google Street View zbulojmë se pamjet i përkasin hyrjes së metrosë në Gran Via 28, Madrid, Spanjë.

Në fund të videos, në sfond duket një dyqan me një ballkon të madh, pranë një tabele të gjelbër farmacie. Në Google Street View, shohim një dyqan bizhuterish me të njëjtin ballkon karakteristik, si dhe farmacinë “Farmacia López Vicente” ngjitur me të.
Shitësit ambulantë që shihen në video kanë shitur produkte të falsifikuara të markave të njohura në rrugët e Spanjës prej vitesh. Ata njihen si “manteros” sepse shpesh i shesin mallrat e tyre mbi batanije të cilat mblidhen me shpejtësi në rast shfaqjeje të policisë, të cilat në spanjisht quhen “mantas”. Shitja në rrugë është e paligjshme në Spanjë, por vijon të shfaqet në qytete të mëdha turistike si Madridi.






