Këshilla për një preparat për kurimin e prostatit është mashtrimi i radhës që bëhet në portale në formatin e artikujve me referenca shkencore. “Faktoje” verifikoi se si janë përdorur mjekë dhe foto të rreme në këtë artikull me qëllim ta bëjë atë sa më të besueshëm për lexuesit.
Mediat online kanë ofruar së fundmi një suplement që supozohet se trajton problemet me prostatën. “Më në fund, është bërë i mundur shërimi i prostatitit në shtëpi me kosto të ulët dhe në vetëm 1 javë. Në Konferencën e XVI Ndërkombëtare të Shëndetit ata folën për një ilaç të ri për prostatitin”, shkruan portali që në krye mban emrin ‘Anadolu’.
Screenshot artikulli i publikuar nga portali
Gjithashtu në këtë artikull pretendohet se preparati mund të trajtojë prostatin njëherë e mirë brenda 1 jave, pa pasur nevojë për të shkuar te mjeku, por tërësisht në kushte shtëpie. Për të prezantuar produktin dhe për ta bërë më të besueshme për lexuesit online, portali përdor emrin e një mjeku, që thuhet se është profesor i urologjisë në Turqi me emrin, Onder Uygur.
Në një kërkim që bëmë në Google, rezulton se nuk ka një mjek urolog në Turqi me këtë emër. Ndërkohë, “Faktoje” bëri bëri verifikim të fotos së përdorur për mjekun Onder Uygur, ku nëpërmjet TinEye zbuluam se kjo foto qarkullon në internet që prej vitit 2019.
Ndërsa, një foto e përdorur për mjekun tjetër, të cilit portali nuk i jep as emrin, rezulton që i përket një mjeku otorinolaringolog në Azerbajxhan.
Gjithashtu shihet se mashtrimi është evidentuar edhe nga lexuesit, të cilët e kanë shprehur shqetësimin nëpërmjet komenteve.
Screenshot, komentet e lexuesve
Marketingu i rremë, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz në mediat sociale.