Një deklaratë e vjetër e presidentit amerikan Joe Biden po përdoret nga konspiracionistët anti-vaksinë për të avancuar agjendën e tyre. “Faktoje” verifikoi se video e shkurtër ku Biden këshillon personat në shtete të prekura nga uraganet të vaksinohen është nxjerrë nga konteksti.
Patris Pustina
Në një klip 20-sekondësh që po qarkulluar në rrjetet sociale edhe në Shqipëri, citohet presidenti amerikan Biden, i cili deklaron:
“Më lini të jem i qartë, nëse jeni në një shtet që goditet shpesh nga uraganet, si Florida, apo Teksas, një element kyç i përgatitjes për sezonin e uraganeve është të vaksinoheni tani. Çdo gjë komplikohet më shumë nëse nuk jeni i vaksinuar, kur godet një uragan apo fatkeqësi natyrore.”
Klipi u publikua në rrjet në fund të shtatorit kur uragani Ian goditi Floridën. Ai u përdor edhe nga konspiracionistët anti-vaksinim për t’u tallur me idenë se vaksina mund të të mbrojë kundër uraganit, dhe për të ‘treguar’ se si “ata” (qeveria, elitat botërore, Iluminati, etj.) do të përdornin çdo justifikim për të imponuar “v(r)aksinimin” e popullsisë.
Verifikimi i “Faktoje” gjeti se, në fakt, klipi ishte shkëputur nga një fjalim i vjetër i Biden, i mbajtur më 10 gusht 2021.
Për më tepër, në këtë fjalim, Biden nuk po pretendonte se vaksinimi do të mbronte kundër uraganit. Klipi që qarkulloi në internet ndërpritet përpara se Biden të shpjegojë këshillën për vaksinim. Siç mund të shihet në një video më të gjatë të këtij fjalimi, Biden arsyeton se “nëse ju duhet të evakuoni, nëse ju duhet të qëndroni në një strehë, nuk doni t’i shtoni Covid-19 listës së rreziqeve me të cilat do t’ju duhet të përballeni.”
Brenda kontekstit, në gusht 2021, kur ShBA po përballej me një rritje rastesh infektimi me Covid-19, Biden po këshillon qytetarët e shteteve që rrezikohen nga uraganët të vaksinohen sepse nëse vendbanimet e tyre preken nga stuhitë, ata do duhet të strehohen në vendstrehime së bashku me shumë njerëz të tjerë. Grumbullime të mëdha njerëzish ngrenë rrezikun e infektimit me Covid-19.
Në po të njejtin fjalim nga është shkëputur klipi, Biden tha se “nuk mund të parandalojmë goditjet e uraganëve, por mund të parandalojmë sëmundjen dhe vdekjen e njerëzve nga Covid-19.”
Faqja zyrtare e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve jep një këshillë të ngjashme për përgatitjen për uragan apo stuhi tropikale: “Të qenit të përditësuar me vaksinat ul gjasat që do të sëmureni me Covid-19 ndërsa po evakuoheni apo strehoheni nga një uragan, dhe do të keni nevojë për shërbim mjekësor ndërkohë që spitalet janë të mbingarkuar nga fatkeqësia natyrore.”
Gjithashtu, siç mund të konstatohet, fjalimi që Biden mbajti në kohën e goditjes së Uraganit Ian, më 27 shtator 2022, nuk përmend fare vaksinimin.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin