.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKëshilla dhe mjekë të rremë për preparatin e zemrës

Këshilla dhe mjekë të rremë për preparatin e zemrës

 

Mjekë të rremë vijojnë të përdoren nga portalet për të bërë të besueshme këshilla mjekësore që rekomandojnë blerjen e preparateve të ndryshme. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore ku nuk ofrohet asnjë dietë që bën që të shërohen sëmundjet e zemrës, si dhe janë përdorur emra fiktivë të mjekëve për të dhënë këshilla të rreme.

Së fundmi, portalet kanë ofruar një tjetër kurë, që sipas tyre pastron venat e gjakut, duke sjellë edhe një funksionim më të mire të organizmit.

“Kardiologu i famshëm Sovjetik Rus, shpikësi dhe profesori Arben Memolla, i dekoruar gjithashtu me shumë çmime ruse premium, doli në pension në moshën 70-vjeçare, por ai nuk u ndje asnjëherë si pensionist as fizikisht dhe as në shpirt.

Për më shumë se 39 vjet, Arbeni jeton me pensionin, por Fondi i Pensioneve e urren atë! Tani akademiku është 109 vjeç, por ai duket dhe ndjehet sikur të ishte në moshën 60 vjeç”, shkruna ndër të tjera portali “frevomi.com”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali “frevomi.com

Në këtë tekst shihet që ka disa mospërputhje. Së pari thuhet se mjeku i pretenduar është rus, ndërsa më pas vihet re që atij i është vënë një emër shqiptar. Nisur nga këto element dhe interesi që kanë qytetarët për sa i përket preparateve për shëndetin, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit.

Nëse do bëjmë një kërkim në listën zyrtare të mjekëve në Shqipëri shihet që nuk ka asnjë mjek kardiolog me këtë emër dhe aq më tepër që të jetë vlerësuar me çmim. Gjatë kërkimit në internet nuk ka asgjë të pasqyruar në mediat kryesore në vend sa i përket doktorit të pretenduar nga portali.

Gjithashtu, ne bëmë edhe një verifikim të imazhit nëpërmjet TinEye, ku rezulton se foto qarkullon në rrjet që prej vitit 2017. Nga kërkim u gjetën 101 rezultate të imazhit në fjalë.

Doktor është fiktiv dhe një kardiolog i tillë nuk figuron në internet. Fotografia e përdorur në këtë publikim është në fakt e ekonomistit të famshëm amerikan Warren Buffett.

Nga verifikimi konstatohet se kemi të bëjmë me mjekë, foto dhe intervista të rreme, me qëllim mashtrimin e lexuesve, duke ofruar produkte që nuk dihet çfarë efektesh kanë për pacientët.

Në një sërë artikujsh, Faktoje ka raportuar se si portalet ofronin preparate për të trajtuar sëmundje të ndryshme, duke përdorur intervista të rreme.

Është mjaft e rëndësishme që njerëzit t’i drejtohem mjekëve specialistë, para se të vendosin për të blerë apo konsumuar produkte të tilla.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img