BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë alarmi për mbylljen e bankave në mars

I rremë alarmi për mbylljen e bankave në mars

Një alarm për rënien e sistemit bankar në mars po qarkullon online duke krijuar alarm të panevojshëm tek publiku. Nuk ekziston asnjë faktor apo rrezik i bazuar në logjikën ekonomike normale që mund të mbështesë një informacion të tillë.

Një video që po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale pretendon se të gjitha bankat tregtare do të mbyllen në muajin mars. Pretendimi i rremë është shpërndarë fillimisht në Tëitter nga një profil, me këtë mbishkrim:

“Vëmendje, lajm i fundit, të gjithë duhet ta shohin këtë video, bankat do të mbyllen të gjitha në mars”. Video shoqërohet edhe me imazhe të ndryshme të ish-presidentit Trum apo kodeve të kriptomonedhave që sfidojnë sistemin tradicional bankar. Postimi është bërë pasditen e 23 shkurtit dhe numëron aktualisht 15 mijë shikime, ndërkohë që është pëlqyer nga 130 përdorues të tjerë të Tëitter-it.

I njëjti postim, është rishpërndarë edhe në Shqipëri nga një profil në rrjetin social Facebook. Teksa rishpërndan të njëjten video, ai shkruan:“Në mars të gjitha bankat mbyllen. Gjithçka është e mundur, shpresojmë…”

Edhe ky përdorues ka marrë dhjetra reagime nga njerëz të tjerë që kanë rënë pre e dezinformimit.

Nisur nga rëndësia që ka kjo temë për qytetarët dhe bizneset “Faktoje” kontaktoi me Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Bankave Shqiptare, Spiro Brumbulli, i cili mohoi të ishte në dijeni të një informacioni për ndonjë zhvillim të mundshëm të sistemit banker në muajin mars.

“Bankat do të jenë të hapura në mars dhe kurdoherë për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të klientëve. Bankat nuk u mbyllën gjatë pandemisë dhe vijuan punën duke ju përshtatur situatës së krijuar nga Covid-19, e jo më në situata normale”- thotë Brumbulli për “Faktoje”.

Edhe në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë nuk ka asnjë njoftim për mbylljen e bankave tregtare që operojnë në vendin tonë. Bazuar edhe në shumë burime të tjera serioze të informacionit ekonomik, mund të konfirmohet se lajmi për ndonjë problem të sistemit bankar, që mund të sjellë mbylljen e bankave tradicionale për t’ia lënë vendin formave të tjera të transaksioneve, është një informacion i rremë.

Aktualisht në Shqipëri operojnë 11 banka, me kapital të huaj dhe vendas.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img