Një foto e një artisti argjentinas dhe të birit duke kënduar në një performancë ështe nxjerrë jashtë konteksti dhe keqinterpretuar në internet.
Foto që tregon artistin gjatë një shfaqjeje, duke mbajtur mikrofonin përpara fytyrës së djalit të tij të vogël, koka e të cilit i vjen këngëtarit deri tek beli.
Kjo foto është bërë shkas për një mori komentesh denigruese kundër këngëtarit Flavio Mendoza, dhe komunitetit LGBT, të cilit i përket artisti.
Kjo foto është nxjerrë nga konteksti. Siç duket nga një video e xhiruar nga një kënd tjetër, e postuar nga shfaqja variete ku Mendoza po performonte, Stravaganza, Mendoza po mban mikrofonin për djalin e tij ndërsa ky i fundit këndon. Pasi fëmija këndon për pak sekonda, dëgjohen duartrokitje nga performuesit e tjerë dhe publiku.
Mendoza reagoi dhe në Twitter, në 24 Janar, mbi qarkullimin e kësaj fotoje. “Dikush publikoi dashakeqësisht një foto timen dhe djalit tim nga një kënd i tmerrshëm dhe më bllokuan Instagramin ju lutem raportoni çdo foto apo person që është prapa kësaj, faleminderit,” shkroi këngëtari.
Në një performancë të radhës, Mendoza “mori skenën” për të folur për keqpërdorimin e fotos së tij dhe djalit të tij duke këshilluar publikun të mos besojnë çdo gjë që shohin në internet, por të informohen dhe të thellohen vetë.