Mjeku Tritan Kalo nuk është hequr nga puna, siç pretendojnë disa portale nëpërmjet titujve abuzivë. Postimet e vetë mjekut, por edhe kontrata me QSUNT tregojnë për përfundimin e shtyrjes së afatit të daljes në pension për mjekun e njohur dhe dëshirën e tij për të vijuar pensionin pranë familjes në Kanada.
Në një artikull që mban datën 20 korrik, portalet njoftojnë se është shkarkuar nga puna, mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo.
“Pas 42 vitesh, Tritan Kalo hiqet nga puna në QSUT, ‘shpërthen’ mjeku”-shkruan portali ‘5 Pyetjet.al’.
Artikulli i shpërndarë nga portalet
Lajmi i publikuar më tej në Facebook ka ngjallur interes në rrjet duke regjistruar mbi 457 mijë shikime në 24 orët e para të publikimit.
Mirëpo, nëse do të shohim më tej në brendësi të artikullit, ky titull kuptohet se ka disa pasaktësi. Së pari, vetë artikulli në brendësi thotë se mjeku Kalo ka dalë në pension dhe nuk është “hequr nga puna”.
“Pas më shumë se 40 vitesh shërbim në spitalin Infektiv në Tiranë, mjeku i njohur Tritan Kalo është njoftuar përmes një shkrese nga QSUT për daljen e tij në pension”-shkruan portali ‘5 Pyetjet.al’ në lajmin e publikuar.
Në disa postime të shpërndara në rrjetet e tij sociale, Kalo shpreh mirënjohjen për kolegët dhe bashkëpunëtorët në 42 vite shërbimi si mjek, dukë bërë të ditur se do ta shijojë pensionin në Kanada. Në asnjë prej postimeve të tij, ai nuk bën të ditur se është hequr nga puna.
“Takimi me kolegët, specializantët, infermierët dhe personelin administrativ të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUNT, përpara nisjes së rrugëtimit të pensionit pranë familjes në Kanada”, shkruan mjeku i njohur në një postim që mban datën 19 korrik.
Postimi i mjekut Tritan Kalo në Facebook
Ndryshe nga çfarë pretendon portali nëpërmjet titullit abuziv, mjeku infeksionit Tritan Kalo nuk është shkarkuar, por thjesht është njoftuar nga drejtoria e burimeve njerëzore të QSUNT për marrjen e lejes vjetore përpara fillimit të pensionit.
Së dyti, duhet theksuar se “shpërthimi i mjekut”, i njoftuar në titullin e artikullit, nuk ka të bëjë me largimin e tij nga qendra spitalore, por më tepër me mirënjohjen e kufizuar nga ministria. Media online ka përfshirë në artikull një postim të mjekut të njohur, i cili publikon shkresën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku njoftohet për përfundimin e shtyrjes së afatit të daljes në pension.
Në këtë postim, në datën 20 korrik, mjeku Kalo shfaq një qejfmbetje për mungesën e një ceremonie apo falenderimi publik nga ministria e Shëndetësisë për të. Ja si shprehet ai:
“Ajo që më befasoj ishte rreshti i fundit i shkresës, ku “shprehej e koncentruar MIRËNJOHJA INSTITUCIONALE”, për kontributin tim 42 vjeçar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT-së, në lidhje me Ofrimin e Përkujdesit Mjekësor sa më cilësorë për mijëra e mijëra të sëmurë, në kushte shpesh të rrezikshme edhe për vetë jetën time, nisur nga natyra kontagioze jetëlënduese dhe jetëmarrëse e shumë e shumë Sëmundjeve Infektive…..
‘DORA E NGROHTË E PUSHT-SHTETIT” ishte e lodhur për të shprehur diçka më shumë për PUNËN, PROFESIONALIZMIN dhe PËRKUSHTIMIN tim ndaj popullit dhe vëndit tim…..
MSHMS nga ana e saj kishte shumë e shumë obligime të tjera, për të evidentuar punën dhe të kontributin e të gjithë atyre, që ‘sapo kanë filluar të cicërojnë’ në ‘kopështin e madh të Përkujdesit Shëndetësor Kombëtar’, sa nuk e gjeti të mundshme të përcillte në faqen e saj zyrtare së paku një foto e një mesazh falenderues për kontributin 42-vjeçar të një individi ‘kenedian’ si unë, i cili në çdo kohë e rrethanë KURRË nuk pa se çfarë bëri Atdheu për të, përkundrazi me mish e me shpirt u përpoq të bëj më të mirën për vëndin e për popullin e tij…..
Vetëm KM u kujdes që urimi i tij i përvitshëm për ditëlindje të mos mungojë…..
ZEMËRNGROHËS ishte fakti se së paku ndjenjat e respektit e të mirënjohjes së një populli të tërë ndaj punës e kontributit tim, u shprehën më bukur e më fuqishëm se kurrë ndonjëherë…..Together forever!!!”
Me eksperiencën e dikujt që është mësuar me portalet, mjeku Kalo nuk harron në fund të postimit edhe një këshillë për mediat online: “Portale, ju lutem NË RAST riprodhimi të këtij postimi mos i deformoni atij thelbin, duke vendosur tituj bombastik, për qëllimet tuaja editoriale…..”
Shënim:
Data 20 korrik 2023 website 5pyetjet.al dhe faqja në Facebook e 5pyetje.al e kanë korrigjuar tekstin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.