Lajmi se Katari do të bllokojë eksportet e gazit nëse nuk ndalet bombardimi i Gazës është i pavërtetë. Verifikimi i “Faktoje” konfirmon se qeveria e Katarit nuk e ka bërë këtë kërcënim.

————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se shteti i Katarit ka paralajmëruar botën se do të ndalojë eksportet e gazit nëse bombardimet izraelite në Gaza vijojnë. Postimi i këtij lajmi, sjellë si shembull i solidaritetit mes popujve myslimanë, nga faqja në Facebook Gazeta Selam, ka marrë mbi njëmijë pëlqime.

Në të vërtetë, shteti i Katarit është përpjekur të luajë rolin e ndërmjetësit në konfliktin Izrael-Palestinë, duke përfshirë një shkëmbim të mundshëm pengjesh.

Në të njejtën kohë, ky shtet është eksportuesi i dytë më i madh i gazit natyror, dhe ka shërbyer si furnitor i rëndësishëm i Europës pas pushtimit rus të Ukrainës.

11 tetor, kompania energjitike shtetërore e Katarit nënshkroi një marrëveshje me kompaninë energjike franceze TotalEnergies për ta furnizuar atë me 3.5 milionë tonë gaz natyror çdo vit, për 27 vitet në vazhdim.

Gjasat se Katari do të minonte pozicionin fitimprurës në të cilin e ka gjetur veten së fundmi, qoftë edhe në emër të solidaritetit mysliman duken të pakta.

Kërcënimi se Katari do të presë furnizimin e botës me gaz, atëherë, duhet të ishte një lajm i përhapur dhe diskutuar gjerësisht. Megjithatë, në mediat kryesore botërore nuk gjendet ky lajm. Njësoj, ky lajm nuk është botuar në faqen e zyrës së komunikimit të qeverisë dhe as në faqen e Agjencisë shtetërore të Lajmeve të Katarit.

Pyetur nga Associated Press, qeveria e Katarit e ka mohuar lajmin se do të ndalojë eksportet e gazit nëse bombardimet në Gaza vazhdojnë. Zyra e Medias Ndërkombëtare tha se “ky është një tjetër rast i dezinformimit online kundër Katarit – kjo deklaratë nuk është bërë kurrë dhe nuk të bëhej kurrë. Katari nuk i politicizon rezervat e tij të gazit natyror apo çfarëdo investimi ekonomik.”