.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashKarta e Kombeve të Bashkuara nuk legjitimon agresionin rus ndaj Ukrainës

Karta e Kombeve të Bashkuara nuk legjitimon agresionin rus ndaj Ukrainës

Pretendimi se Karta e Kombeve të Bashkuara legjitimon veprimet e Rusisë në Ukrainë është i pavërtetë. Teza e ndarë së fundi edhe në portalet shqiptare keqinterpreton legjislacionin ndërkombëtar duke shtrembëruar termat e një marrëveshje të Luftës së Dytë Botërore.

——————————–

Një artikull i publikuar në portalin mast.al pretendon se agresioni rus kundër Ukrainës mbështetet në nenet 106 dhe 107 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Specifikisht, artikulli pretendon se “nenet 106 dhe 107 të Kartës së Kombeve të Bashkuara i japin Rusisë, si pasardhëse ligjore e fituesit të Luftës së Dytë Botërore (dmth. Bashkimit Sovjetik), të drejtën për të marrë të gjitha masat, përfshirë masat ushtarake, kundër Gjermanisë, Hungarisë, Austrisë, Rumanisë, Bullgarisë, Finlandës, Republikës Çeke, Letonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Ukrainës në përpjekjen për të ndaluar ringjalljen e nazizmit.” 

Për të verifikuar këtë pretendim, “Faktoje” këqyri fillimisht nenet 106 dhe 107 të Kartës. 

Neni 106 i Kartës së OKB parashikon: “Derisa hyrja në fuqi e marrëveshjeve të posaçme të karakterit të përcaktuar në nenin 43 t’i japë mundësi Këshillit të Sigurimit të fillojë të ushtrojë përgjegjësitë e tij sipas nenit 42, palët e deklaratës së katër fuqive, nënshkruar në Moskë në datën 30 tetor 1943, dhe Franca konsultohen me njëra-tjetrën sipas paragrafit 5 të kësaj deklarate dhe, në rast se duhet edhe me anëtarë të tjerë të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të vendosin bashkarisht, në emër të organizatës, të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e paqes botërore dhe sigurisë ndërkombëtare.”

Ndërsa neni 107 parashikon: “Ato masa, që qeveritë përgjegjëse i marrin apo miratojnë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore kundër një shteti, që gjatë luftës ishte armik i një shteti nënshkrues së kësaj Karte, as nuk shfuqizohen dhe as nuk ndalohen nga kjo Kartë.”

Siç vërehet, nenet nuk përmendin asnjë shtet specifik, aq më pak të gjitha shtetet e listuara nga artikulli. Ato nuk përmbajnë asnjë parashikim sa i përket “ringjalljes së nazizmit”. Asnjë nga nenet e tjera të Kartës nuk i jep tagër Rusisë, siç pretendon artikulli, “të dënojë nazistët kudo ndodhen.”

Neni 106 përmend Deklaratën e Katër Fuqive, të nënshkruar në Moskë në 1943, por e bën këtë vetëm për t’iu referuar palëve nënshkruese të kësaj deklarate (Kina, Bashkimi Sovietik, Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA) dhe nuk përfshin në parashikimet e tij ndonjë parashikim të Deklaratës së 1943.

Megjithatë, “Faktoje” këqyri dhe parashikimet e Deklaratës së 1943, duke u përpjekur të kuptonte pretendimin e mast.al. Aneksi 10 i kësaj deklarate përmend krimet naziste dhe parashikon se ushtarët gjermanë dhe anëtarë të Partisë Naziste që kanë marrë pjesë në krime lufte do të dërgohen në vendet ku kanë kryer krimet e tyre dhe do të ndëshkohen sipas ligjeve të atyre vendeve.

Deklarata e Katër Fuqive

Sa i përket nenit 107, në të specifikohen masa që qeveritë marrin “si pasojë e Luftës së Dytë Botërore kundër një shteti, që gjatë luftës ishte armik i një shteti nënshkrues së kësaj Karte”. Duke qenë se gjatë Luftës së Dytë Botërore Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovietik, dhe jo një shtet i pavarur, ky nen nuk është i aplikueshëm në konfliktin Rusi-Ukrainë.

Artikulli flet gjithashtu për një “letër drejtuar OKB-së” “u jep fituesve të Luftës së Dytë Botërore, sot Rusisë, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Kinës, të drejtën për të ndërmarrë çdo veprim kundër vendeve që luftuan kundër tyre, për të shmangur veprimet që synojnë rishikimin e rezultateve të Luftës së Dytë Botërore.” Ai nuk e bën të qartë cilës letër i referohet, duke mos dhënë as emrin, datën apo autorin e letrës.

OKB ka deklaruar, në Maj të këtij viti, se pushtimi rus i Ukrainës shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara. Sipas nenit 2, pika 4 të Kartës, “të gjithë anëtarët ndalojnë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare çdo kërcënim apo pëdorim dhune, që drejtohet kundër paprekshmërisë territoriale apo pavarësisë politike të një shteti ose që bie ndesh me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.”

Duhet nënvizuar gjithashtu se pretendimet e Putin se agresioni kundër Ukrainës është një përpjekje për të luftuar nazizmin në këtë vend janë përgënjeshtruar në mënyrë të përsëritur nga ekspertë dhe historianë dhe janë etiketuar si propagandë.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img