.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKardiologu i rremë këshillon trajtimin për enët e gjakut

Kardiologu i rremë këshillon trajtimin për enët e gjakut

Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz. “Faktoje” verifikoi se si portalet përdorin emrin e një mjeku të rremë për të shitur një produkt që sipas tyre “bën mrekullinë” kundër pastrimit të enevë të gjakut. Gjithçka është e sajuar me qëllim shitjen e produktit.

Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron një medikament për kurimin e enëve të gjakut, duke përdorur mjekë të rremë.

Artikulli nis me intervistën e një kardiologu që jep këshilla se si njerëzit, kryesisht të moshuarit, mund të pastrojnë enët e gjakut në mënyrë që të shmangin sëmundje si hipertensioni si dhe nëntë sëmundje të tjera të pashërueshme.

Për ta bërë sa më të besueshme për lexuesit këto këshilla, Gazeta Mjekësore e cilëson mjekun kardiolog shqiptar të quajtur Petrit Kurti, si një nga profesionistët më të mirë të vendit.

“Deri më tani, ekziston vetëm një medikament në Shqiperi që bën një punë të mirë me këtë detyrë. Ky preparat u krijua në 2015 nga Instituti i Zemrës dhe Vaskulave në Prishtinë. Medikamenti përmban rreth 40 përbërës aktivë – ekstrakte nga bimë të dobishme për enët e gjakut, vitaminat, mikro – dhe makroelementet.” – shkruhet ndër të tjera në intervistën e publikuar duke cituar mjekun kardiolog  që këshillon përdorimin e këtij medikamenti çudibërës për pastrimin e enëve të gjakut.

Ne bëmë edhe një verifikim të mjekut të përmendur në artikullin në fjalë. Nga kërkimi nuk rezulton që në Shqipëri të ketë një mjek kardiolog me emrin Petrit Kurti. Ndërsa, nga kërkimit nëpërmjet TinEye rezulton se foto e përdorur për mjekun është imazh i ricikluar nga faqe të huaja. Në të vërtetë, fotografia e përdorur nga portali është e një mjeku pediatër nga Rusia, me emrin Vladimir Kirillovich Tatochenko.

Ndërkaq, në artikull është publikuar edhe historia e një pensioniste nga Berati të quajtur Esmeralda Kadiu, 75 vjeç e cila reklamon produktin çudibërës.

Nga kërkimet tona rezulton se identiteti i gruas është i rremë, ndërkohë që fotografia e saj qarkullon nëpër disa portale të ngjashme të huaja që shesin medikamente kundër diabetit.

Artikulli i portalit Gazeta Mjekësore numëron edhe dhjetra komente, të cilat reklamojnë produktin në fjalë, në përpjekje për të bindur lexuesit që ta blenë këtë medikament.

Ofrimi i produkteve të tilla ka një ndikim të madh në jetën e qytetarëve, veçanërisht tek të moshuarit që vuajnë nga tensioni i lartë apo sëmundje të tjera të zemrës. Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img