.

.

BallinaAktualitetKaos me strehimin social pas tërmetit të nëntorit 2019

Kaos me strehimin social pas tërmetit të nëntorit 2019

Bashkia e Durrësit ka mijëra familje të regjistruara të pastreha dhe që kërkojnë të përfitojnë në një nga programet e strehimit. Strehimi social, për familjet apo individët e komuniteve vulnerabël, u shkri në një të vetëm me programin e rindërtimit. Nga një verifikim për Faktoje rezulton se gjatë tri viteve pas tërmetit të  26 nëntorit, strehimi social jo vetëm që nuk ka përparuar, por ka shënuar regres. Përveç bonusit të qirasë për familjet e prekura nga tërmeti dhe bonusit të strehimit për komunitetin rom, egjiptian dhe PAK nuk ka përfitues të kredive të buta apo përmirësim të kushteve të jetesës.

Nga Albina Hoxhaj

Pas tërmetit të 26 nëntorit, strehimi social është përfshirë në programin e rindërtimit, siç e konfirmoi kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako në një intervistë më 5 shkurt 2022.

“Me rastin e programit të rindërtimit ne kemi marrë në konsideratë këto nevoja që ka qyteti i Durrësit duke bërë të mundur që në të gjitha pallatet pikësore si dhe në dy sitet e mëdha atë të Spitallës dhe Manzës, kemi parashikuar numër shtesë apartamentesh të cilat do të përdoren për programin e banesave sociale. Pra përveç mbulimit të nevojës për familjet që tërmeti i 26 nëntorit i ka shkatërruar shtëpinë ne do të kemi dhe apartamente shtesë për banorët të cilët do të kenë nevojë për strehim”, u shpreh Sako.

Nisur nga kjo deklaratë ne vendosëm të bëjmë një verifikim se si ka ecur programi për banesat sociale qëkur u përfshi tek procesi i rindertimit dhe sa janë ndihmuar familjet e kësaj kategorie, pas vitit 2019.

Fillimisht iu drejtuam bashkisë së Durrësit me një kërkesë zyrtare për informacion ku pyetëm se sa familje të pastreha nga kategoritë vulnerabël janë asistuar me banesa sociale apo lehtësime të tjera.

Në përgjigjen për Faktoje dërguar më 21 nëtor 2022, bashkia dërgoi 11 dokumenta të ndryshme ku jepet një grumbull të dhënash për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti dhe atyre që i përkasin komunitetit PAK, Rom dhe Egjiptian.

“Qyteti i Durresit ka nje popullsi prej rreth 310 155 banore, me rreth 93 053 familje nga te cilat 6 200 familje janë të pastrehë, ku 1500 familje të grupit “Ç”(që banojnë në banesa ish prone private) dhe 640 familje të pastrehe në banesa të ndërtuara me fondet e shtetit dhe kontribut vullnetar mbi shtëpitë e pronarëve dhe shtesa aneësore.

Numri i familjeve të pastreha të regjistruar në Bashki është 4185 familje”-thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare.

Në këtë përgjigje jepen edhe shifra të tilla si, 23 familje janë trajtuar me përmirësimin e kushteve të banimit, apo 162 familje kanë marrë kredi me interes 0%.

Por këto shifra,  (shënuar me të verdhë) sipas dokumentave që ka dërguar bashkia Durrës, i përkasin viteve para tërmetit të viti 2019.

Në tabelën më poshtë (dërguar nga Bashkia), tregohet se pas 2019-s deri në 2022 strehimi social ka qenë thuajse i paralizuar.

Shpërndarja për secilin nga programet në 4 vitet e fundit
Shpërndarja për secilin nga programet në 4 vitet e fundit

Në tabelën më sipër tregohet se në vitin 2020, 2021 dhe 2022 që korrespondojnë me periudhën e pastërmetit figurojnë me 0 zërat (të shënuara me të kuqe):

Banesa me kosto të ulët, truall i pajisur me infrastrukturë, kredi e lehtësuar për strehim me 3% interes, apo me 0% interes si dhe përmirësim i kushteve të banimit për komunitete të pafavorizuara.

Ndërkohë tregohet se për komunitetet PAK, Rom dhe Egjiptian në këto 3 vite është dhënë vetëm bonus për strehim, ashtu sikurse edhe për familjet e goditura nga tërmeti.

Bashkia e Durrësit vuri në dispozicion edhe VKB (Vendime të këshillit Bashkiak) për familjet e trajtuara me kredi të lehtësuara, por bie në sy se asnjë nga 345 familjet që aplikuan (shënuar me të kuqe në tabelë), në 2021 nuk e ka përfituar kredinë. Për vitin 2020  që pasoi tërmetin nuk rezultojnë VKB në lidhje me kreditë e lehtësuara, ndërsa të dhënat e tjera i përkasin viteve para se të ndodhte tërmeti i 2019-s.

Në tabelë të dhënat e përfituesve të kredisë nga bashkia dhe sa prej tyre u pranuan nga banka
Në tabelë të dhënat e përfituesve të kredisë nga bashkia dhe sa prej tyre u pranuan nga banka

Pas verifikimit të të dhënave që tregojnë se strehimi social pothuajse nuk ka funksionuar, pas shkrirjes së programit me atë të rindërtimit, Faktoje bisedoi me dy qytetare të cilat prej vitesh po sorollaten pa ndonjë zgjidhje.

Kryefamiljaria aplikoi për shtëpi që në 2014, ende asnjë zgjidhje për të

Elsa Tasha, banore e qytetit të Durrësit, e pastrehë, që në vitin 2014 kërkoi strehim në Bashkinë e Durrësit. 43-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve ka humbur bashkëshortin në vitin 2014. Ajo është invalide dhe të ardhurat e saj janë 4 700 lekë, ndërsa merr nga bashkia ndihmë sociale 3 300 lekë.

Aplikimi i parë për strehim është bërë në vitin 2014 dhe i fundit, i ripërsëritur është në vitin 2021. Elsa Tasha thotë se pas ridorëzimit të aplikimit të fundit është interesuar disa herë në bashki dhe i është thënë se nuk ka banesa sociale. Në këto kushte, ajo është ankuar në portalin e bashkëqeverisjes. Pas kësaj ankese ka marrë një telefonatë dhe një email ku informohej për të tjera burokaci që duheshin ndjekur.

Përgjigjja me email që i është dërguar pas ankimimit në portalin e bashkëqeverisjes
Përgjigjja me email që i është dërguar pas ankimimit në portalin e bashkëqeverisjes

Në telefonatën që ka marrë, i është thënë se do të shohin edhe një herë mundësitë që të trajtohet me bonus strehimi, por ende nuk është marrë një vendim konkret. Ndërkohë zonjës i është kërkuar të ridorëzojë dokumentet nga e para, e njëjta sorollatje që përsëritet prej vitesh.

E moshuara, më shumë e gjysma e pensionit shkon për qiranë

Liljana Shabani 70 vjeçe, me profesion rrobaqepëse dhe tani pensioniste thotë se të ardhurat e saj janë 13 200 lekë të reja. Është e sëmurë, dhe ka probleme me diabetin, zemrën, tensionin dhe artritin. E ka të pamundur të sigurojë medikamentet dhe nuk trajtohet me asnjë prej tyre. Bashkia e ka strehuar tek pallatet B dhe ajo paguan 7 500 lekë në muaj në muaj për qiranë, ose më tepër se gjysmën e pensionit. Pjesën tjetër të parave e përdor për të paguar faturat e dritave, ujit. Me rritjen e çmimeve dhe të ardhurat e pakta, 70 vjeçarja thotë se arrin të blejë vetëm trahana për t’u ushqyer. Duke u përpjekur të përballojë jetësën ajo ka trokitur në derën e bashkisë dhe ka kërkuar ulje të pagesës së qirasë, por thotë se kërkesa i është refuzuar.

Më mirë rri pa ngrënë sesa të lë faturat pa shlyer, po nëse ma marrin shtëpinë fare, ku do të vete unë. Fillimisht paguaj qiranë, drita dhe ujë, për të ngrënë ato që mbeten”, shprehet 70 vjeçarja e cila shon me keqardhje:  “Në këtë vend kujtohen për ty vetëm kur mbyll sytë!”

Numri i personave të pastrehë në Bashkinë e Durrësit mbetet i lartë, ndërkohë që pushteti vendor është mjaftuar me përfshirjen tek programi i rindërtimit për një kohë të shkurtër, por problemi i familjeve mbetet sërish i pazgjidhur.

Nga një vëzhgim i postimeve që kryebashkiakja Emirjana Sako ka bërë në rrjetin social Facebook bien në sy njoftime në lidhje me strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti, por jo të atyre që u përlasin kategorive të pafavorizuara, siç i quan bashkia.

Në një artikull të publikuar në 30 dhjetor në Faktoje, raportohej se deri në fund të vitit 2022 në Spitallë, ku ishte premtuar se do kishte numër shtesë apartamentesh për strehimin social, ende nuk ishte përfunduar asnjë apartament.

Sipas Ministrisë së Financave e cila i referohet “Strategjisë së strehimit social 2016-2025” numri i kërkesave për të gjitha programet e strehimit social është rreth 35 mijë familje në shkallë vendi.

Në tabelë kërkuesit dhe përfituesit, sipas programeve
Në tabelë kërkuesit dhe përfituesit, sipas programeve

Nga viti 2016 deri në fund të vitit 2021 janë trajtuar 13 mijë familje të pastreha pa përfshirë këtu familjet që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Bashkitë me numrin më të madh të kërkuesve për strehim social janë Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra, Kuçova, Lezha dhe Saranda.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img