BallinaFaktometerE PavërtetëEnergjia e blerë nga HEC-et private, ERE nxjerr blof Ballukun për çmimin

Energjia e blerë nga HEC-et private, ERE nxjerr blof Ballukun për çmimin

Çmimi i shitjes së enegjisë nga hecet e vogla vijon të jetë i njëjtë me vitin e kaluar, ndonëse qeveria ishte zotuar ta rriste me 1.5 lekë/kwh këtë vit. Një verfikim i Faktoje tregon se zotimi publik i ministres së Energjisë Belinda Balluku për rritjen e çmimit nga 8.5 lekë/kwh në 10 lekë/kwh, ende nuk po njeh zbatim. Dhjetorin vitit të kaluar, Enti Rregullator i Energjisë ka mbajtur të pandryshuar tarifën për shitjen e energjisë nga prodhuesit e vegjël, ndërkohë që këta të fundit mezi presin çmimin e ‘premuar’ nga Balluku.

Esmeralda Topi

“Pas një pune analitike shumë të mirë në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë kemi reflektuar një rritje të çmimit. Pra, për ta kwh nga 8.5 lekë që blihej deri në 31 dhjetor tashmë blihet me 10 lekë.”deklaroi më 9 janar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, duke iu referuar çmimit të shitjes së energjisë nga prodhuesit e vegjël për këtë vit.

Burimi (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë)

Por një verfikim i Faktoje tregon se zotimi për rritjen e çmimit të shitjes së energjisë për hecet e vogla me 1.5 lekë nuk po njeh zbatim.

  • Ndryshe nga sa deklaroi Balluku, çmimi që ka përcaktuar ERE për vitin 2023, rezulton 8.5 lekë/kwh.

“… bordi i ERE-s, vendosi: Miratimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi prej 8.5652 lekë/kwh në vitin 2023.”- shkruhet në vendimin e Entit Rregullator të Energjisë të 14 dhjetorit 2022, duke saktësuar se çmimi do të jetë objekt rishikimi në rast të ndryshimit të elementeve përbërës të tij.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të mësuar mbi ‘fatin’ e VKM-së, por deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi, nuk kemi ende një përgjigje zyrtare.

Ndërkaq, edhe përfaqësues nga Shoqata Shqiptare e Energjive të Rinovueshme konfirmojnë për Faktoje se rritja e premtuar e çmimit ende nuk është reflektuar.

“Ne jemi duke pritur, aktualisht na është thënë që VKM është hartuar, por nuk e kemi parë ende. Prodhuesit e vegjël, të gjithë mezi po e presin të materializohet. Nuk e kuptoj pse ka vonesa, ndërkohë na është thënë që është në proces aprovimi.” – shprehet Anita Shushku, duke shtuar se çmimi i ri i propozuar nga qeveria i ndihmon prodhuesit e vegjël.

“Çmimi normal do të ishte një tarifë që do të kishte lidhje me prodhimin, kur është prodhimi më i ulët çmimi duhej i lartë, kur është i lartë duhej çmim i ulët por këtu në Shqipëri është shkencë shumë e komplikuar, ndaj çmimi jo më i vogël se 10 lekë është mirë. Pasi me të gjithë llogaritjet tona na rezulton që çmimi i shitjes së energjisë duhet të ishte rreth 10 lekë që të realizonte atë kthimin e investimit brenda 7-10 viteve. Shumica e heceve të vogla nuk e kanë shlyer vlerën e investimit, përjashto vetëm pak raste, ndonëse kanë që nga viti 2013 që kanë filluar punën. Nuk është favor shumë i madh, gjithsesi është një rritje dhe kjo duhet vlerësuar.” – thekson Shushku.

Prodhuesit me përparësi të energjisë janë kryesisht HEC-et deri në 15MW të cilëve energjia iu blihet sipas një tarife të përcaktuar në bazë vjetore nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Çmimi miratohet nga Enti Rregullator i Energjisë mbi bazë të një metodologjie të miratuar nga Këshilli i Ministrave në nëntor të 2017, e rishikuar sërish në 2020.

Sipas metodologjisë formula që nxjerr çmimin vjetor të blerjes (Lekë/kwh) është:“Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kwh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.20 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit”.

Sipas të dhënave, çmimi për këtë vit, është i njëjtë me atë të 2022 prej 8.5652 Lekë/kwh.

Në kulmin e rritjes së çmimeve të energjisë në bursa, prodhuesit me përparësi shfaqën interes për të shitur energjinë në tregun e lirë, por me një vendim të veçantë në kushtet e emergjencës, qeveria i vendosi në detyrimin e shërbimit publik e për rrjedhojë hecet e vogla vijojnë të shesin energji me çmimin e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img