Pretendimi: Pas fitores, lideri i CDU pranoi se kishte gënjyer për mbylljen e kufijve për t’i marrë vota AfD
Verdikti: E pavërtetë
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se kancelari gjerman, Friedrich Merz ka përdorur çështjen e emigrantëve gjatë fushatës, me qëllim që t’i marrë votat partisë së ekstremit të djathë.
“Sapo u shpall fitorja e CDU-së, pa kaluar as 24 orë, Merz mashtroi publikisht votusit kur u pyet nga një gazetare: ‘kufinjtë e Gjermanisë do qëndrojnë të hapur, ne e bëmë këtë premtim elektoral të rremë që të mos fitonte partia e ‘ekstremit’ të djathtë AFD.”- shkruhet në postimin që shoqëron një pjesë të konferencës së parë për shtyp të Merz pas fitores.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në videon me titra në spanjisht, Merz thotë: “Dua të sqaroj edhe njëherë se asnjë nga ne nuk flet për të mbyllur kufijtë. Askush nga ne nuk do të mbyllë kufijtë”.
Mirëpo, pretendimet se Merz mashtroi gjermanët janë të rreme. Video e publikuar është një fragment nga konferenca për shtyp e mbajtur më 24 shkurt 2025 nga lideri i CDU-së, Friedrich Merz, i cili foli pas rezultateve të zgjedhjeve. Në videon e plotë, në minutën 46:25, pas një pyetjeje rreth koalicioneve të planifikuara për qeverinë që po vjen, lideri i CDU-së thotë: “Asnjë prej nesh nuk ka qëllim të mbyllë kufijtë.”
Merz thekson nevojën “për të mbrojtur më mirë kufijtë kombëtar duke fituar kontroll mbi ata që hyjnë në vendin tonë”. Në asnjë moment gjatë konferencës, lideri i CDU-së nuk thotë se partia e tij premtoi gjatë fushatës mbylljen e kufijve vetëm për të marrë vota nga AfD.
Në të vërtetë, Merz sugjeroi gjatë diskutimeve publike në fushatën zgjedhore se politika e jashtme dhe e sigurisë, por edhe politika e zhvillimit duhet të jetë e orientuar në të ardhmen drejt interesave gjermane. Për sa i përket politikës së azilit, duhet të zbatohet si vijon: “Një vend që nuk i merr mbrapsht shtetasit e tij në rast të dëbimit nga Gjermania, nuk mund të marrë më ndihmë zhvillimore në të ardhmen. E njëjta gjë vlen edhe për vendet që “kanë një qëndrim të dyshimtë ndaj terrorizmit”.
Gjithashtu, në fund të muajit janar Merz tha se në rast të fitores së tij, do të ketë dukshëm më shumë dëbime dhe një “ndalim de facto të hyrjeve” në të gjithë kufijtë për njerëzit pa dokumente të vlefshme udhëtimi, përfshirë edhe ata që kanë ardhur në Gjermani për të kërkuar mbrojtje. Futja e këtij rregulli do të ishte kusht për partitë tjera për bashkëpunimin në koalicion.
Partia e tij paraqiti në Bundestag propozime për të shtrënguar politikën e migracionit. Kritikët vunë në dukje se propozimet e Merz bien ndesh me politikën evropiane të azilit dhe nuk janë ligjërisht të zbatueshme sipas ligjit evropian.
Partia e Merz hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se qëllimi nuk ishte bashkëpunimi me AfD, por duke theksuar se CDU nuk do të ishte kundër nëse propozimi kalonte me mbështetje nga partia e ekstremit të djathtë (gjë që ndodhi kur plani i Merz u miratua).