Gjatë fushatës zgjedhore, në qershor të vitit 2019, kryebashkiakja e Kurbinit premtoi ndërhyrje emergjente për pastrimin e të gjitha kanaleve kulluese dhe hapjen e kanaleve të reja vaditëse në mënyrë që banorët ta kenë më të lehtë zhvillimin e bujqësisë. Verifikimi i “Faktoje” në terren zbuloi se kanalet kulluese rezultonin të bllokuara në shumicën e rasteve, ose banorët kishin paguar vetë për hapjen e tyre.
Patris Pustina
Pak ditë para zgjedhjeve vendore të vitit 2019, kandidatja e Partisë Socialiste, Majlinda Cara në një intervistë për ERTV foli për zhvillimin e bujqësisë në bashkinë e Kurbinit. Cara premtoi ndërhyrje emergjente në pastrimin e kanaleve kulluese.
Sipas përgjigjes ndaj kërkesës për informacion dërguar Bashkisë Kurbin nga Faktoje, ky institucion komfirmon se janë kryer ndërhyrje emergjente dhe te planifikuara në rrjetin kullues dhe vaditës.
Sa i përket kanaleve kulluese, Bashkia Kurbin u përgjigj se punimet për rehabilitimin e tyre do të vazhdojnë deri në 25 dhjetor të këtij viti. Bashkia nuk dha një shpjegim se përse këto punime janë planifikuar të zgjasin përgjatë stinës së shirave, për të cilën kanalet kulluese janë të domosdoshme.
Ndërkohë në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Kurbin mungojnë detajet në lidhje me financimin e projektit për rehabilitimin e këtyre kanaleve.
Screenshot nga përgjigjia e kërkesës për informacion drejtuar Bashkisë së Kurbinit
Pavarësisht premtimit të kryebashkiakes Cara për rehabilitimin e kanaleve kulluese, zona e Kurbinit ka patur përmbytje si në vitin 2019, në vitin 2020, edhe në vitin 2021.
Vlen të përmendet se Bashkia Kurbin shtrihet kryesisht në një zonë bujqësore. Zhvillimi ekonomik mbështetet në industrinë e lehtë dhe bujqësinë, nga e cila një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nxjerr të ardhurat për jetesën.
Në 22 shtator 2022, Faktoje verifikoi në terren premtimin e kryebashkiakes Cara. Nga vëzhgimi i rezulton se kanalet kulluese në tokat bujqësore mbeten të papastruara. Shumica e tyre ishin të pushtuara nga bimësia, dhe në disa pika përgjatë tyre ishin bllokuar nga banoret që i kishin mbushur për të krijuar një rrugë dalëse nga prona e tyre.
Disa banorë të Fushë-Milotit thanë për Faktoje se Bashkia nuk kishte vënë dorë mbi kanalet në vite dhe se atyre u ishte dashur të paguajnë nga xhepi për pastrimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese.
Siç vihet re edhe në fotot e shkrepura në shtator gjatë verifikimit në terren, kanalet kulluese në Kurbin mbeten të papastruara. Kjo paçka premtimit të kryebashkiakes Majlinda Cara, të bërë që në vitin 2019, të cilin nuk mund ta klasifikojmë veçse si të pambajtur.
Kanal kullues në Fushë-Milot, 22 shtator 2022
Kanal kullues në Fushë-Milot, 22 shtator 2022
Kanal kullues në Fushë-Milot, 22 shtator 2022
Kanal kullues përgjatë rrugës në Fushë-Milot, 22 shtator 2022
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.