ILDA KURTI
Kalaja mesjetare e Prezës, e gjunjëzuar nga tërmeti i vitit 2019, ka marrë një vëmendje të madhe nga qeveria shqiptare. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka zhvilluar dy studime me vlerë 390 mijë dollarë për restaurimin e plotë të Kalasë, përgjatë vitit 2020 dhe 2021.
Në studimin e parë përfshihen 5 monumente historike të ndryshme, njëri prej të cilëve përfshin edhe Kalanë e Prezës, për të cilën vendos si objekte studimi Kullën e Sahatit dhe Kullën Rrethore, duke lënë pa përmendur murin verilindor. Studimi i dytë i dedikohet Xhamisë së Prezës, duke specifikuar se përjashtohen 3 objektet e studimit të parë. Faktoje evidenton pas kërkimeve të detajuara se qeveria për studimin e parë, nuk i paguan kompanisë së kontraktuar 180 mijë dollarë. Kontrata me firmën fituese nuk është anuluar, por vijon në vitin 2021 me një tjetër objekt studimi tashmë, duke qenë se projekti për studimin dhe ndërhyrjen për restaurimin e të dy kullave dhe murit ndërlidhës mes tyre po realizohet nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij falë fondeve të Ambasadës Amerikane. Restaurimi ka nisur më 2 prill, ku kostoja e dy studimeve të financuara nga buxheti i shtetit ka një vlerë rreth 390 mijë dollarë, ndërsa restaurimi ka kushtuar afërsisht 152 mijë dollarë.
Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 preku rëndë kalanë historike te Prezës e cila u dëmtua në disa pjesë të saj. Qeveria shqiptare përmes VKM Nr. 213 të datës 11.03.2020 vendos të financoje 236.627.069 lekë për restaurimin e pasurive kulturore. Faktoje evidenton se shteti shqiptar ka financuar dy projekte studimesh për Kalanë e Prezës, i pari në vitin 2020 ku përshihen 2 Kullat dhe Murin Verilindor të Kalasë, me kod projekti 19AD708 dhe me një kosto financiare 6,461.526 lekë. I dyti në vitin 2021 ku përfshihet Xhamia dhe Kalaja e Prezës me kod projekti 19AD708. Kontrata e dytë është lidhur në datën 06.05.2021, dhe ka si objekt Xhaminë e Prezës. Kostoja për këtë projekt është 22.000.000 lekë ose rreth 212 mijë dollarë – edhe më shtrenjtë se sa ajo e vitit të mëparshëm. Ajo është realizuar në vetëm 21 ditë kalendarike ose 15 ditë pune, dhe kontrata ka përfunduar në 26 maj 2021. Por, ajo qe vihet re, është se pagesa për kontratën e parë, pra për studimin mbi 2 kulla dhe murin verilindor nuk është bërë i plotë, por është kaluar për vitin 2021. Faktoje ka kërkuar informacion nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore mbi arsyet e ndryshimit 2 muaj nga lidhja e kontratës së parë dhe vetëm 13 ditë nga përfundimi i afatit të saj. Është e paqartë që nëse objekti është ndryshuar në kontratën e parë, pse duhej lidhur kontrata e dytë? Dhe çfarë pune është kryer për kontratën e parë, një vlerë e të cilës mbetet ende pa paguar? Hartimi i projektit për kullat, apo për Xhaminë?
Më 2 prill të vitit 2021 nisi puna për restaurimin në Kalanë e Prezës. Punimet po kryhen falë financimit të bërë nga Fondi i Ambasadorëve dhe po aplikohen nga organizata kulturore Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Aktualisht po kryhen ndërhyrje pranë Kullës së Sahatit, murit verilindor të Kalasë dhe Kullës Rrethore. Në bazë të një raporti të publikuar nga IKTK, restaurimi ka kushtuar 152 mijë dollarë, ku 12 mijë dollarë ka kushtuar stabilizimi emergjent, dhe 140 mijë do të kushtojë restaurimi i plotë në Kalanë e Prezës.
Përveç fondeve të jashtme, nëpërmjet VKM Nr. 213 të datës 11.03.2020 janë alokuar 236.627.069 lekë për restaurimin e pasurive kulturore në vend. Nga ky fond janë financuar dy projekte të ndryshme studimesh për Kalanë e Prezës, njëri në vitin 2020 dhe i dyti në vitin 2021.
Kostot e studimeve 2.5 herë më të larta se vetë restaurimi
Nëpërmjet VKM Nr. 213 të datës 11.03.2020 u financuan 236.627.069 lekë për restaurimin e pasurive kulturore. Nga fondi i Rindërtimit janë financuar dy projekte të ndryshme studimesh për Kalanë e Prezës, i pari në vitin 2020 dhe i dyti në vitin 2021.
Foto ilustruese e detajimit të projekteve të investimeve nga Fondi i Rindërtimit për vitin 2020. Projekti me kodin 19AD703. ©Faktoje
Ky fond është administruar fillimisht në buxhetin e vitit 2020, ku janë lidhur 7 kontrata me vlerë totale 190.174.800. Pjesa e mbetur është trashëguar për vitin pasardhës, ku për vitin 2021 janë lidhur 3 kontrata me vlerë totale 31.600.000 lekë.
Nga buxheti i vitit 2020 është financuar kontrata e lidhur më 09.10.2020 për hartimin e “Planit të Konservimit, Ndërhyrjes Përforcuese dhe Restauruese në 5 objekte pasuri kulturore”, me kod projekti 19AD703, e cila ka kushtuar 92.500.000 lekë. Titulli i projektit nuk emërton se cilat janë këto objekte, por Faktoje ka arritur të zbulojë termat e referencës së këtij projekti dhe njëri prej tyre i dedikohet Kalasë së Prezës, përkatësisht dy objekteve brenda saj: Kullës së Sahatit, si dhe Kullës Verilindore – duke lënë pa përmendur murin verilindor, ndonëse i dëmtuar rëndë.
Në mungesë të detajimit të mëtejshëm financiar për secilin objekt, ku të shpjegohet mënyra se si është bërë shpërndarja e parave për studimin e secilit monument, Faktoje ka llogaritur 1/5 nga shuma totale, ku përkatësisht secili objekt kushton rreth 18.500.000 lekë.
Foto informuese rreth 5 objekteve të përfshira në objekt.
Burimi: “Raportet e Monitorimit; 8 mujori i vitit 2020”, Ministria e Kulturës.
Kullat apo Xhamia?
Foto ilustruese e Xhamisë së Prezës. Anash saj Kulla Katrore nën restaurim.
Nga buxheti i vitit 2021 është financuar kontrata e dytë për studimin e Kalasë së Prezës, “Plani i Konservimit, Ndërhyrje përforcuese dhe restauruese në objektin: Kalaja e Prezës (përfshirë Xhaminë në Kalanë e Prezës, duke përjashtuar 2 Kullat dhe Murin Verilindor të Kalasë)”, me kod projekti 19AD708. Në të përfshihet studimi për Xhaminë në Kalanë e Prezës dhe kontrata është lidhur në datën 06.05.2021, dhe ka kushtuar 22.000.000 lekë, ose rreth 212 mijë dollarë – edhe më shtrenjtë se studimi i vitit të mëparshëm. Kontrata është realizuar përgjatë 21 ditëve kalendarike, ose vetëm në 15 ditë pune, dhe ka përfunduar më 26 maj 2021.
Foto ilustruese e detajimit të projekteve të investimeve nga Fondi i Rindërtimit për vitin 2021. Projekti me kodin 19AD708. ©Faktoje
Në listën fillestare të publikuar nga Ministria e Kulturës, Xhamia e Prezës nuk përmendet si objekt i dëmtuar, apo në nevojë për restaurim. Xhamia është restauruar plotësisht në vitin 2014 nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim. Në momentin që Faktoje bëri verifikimet në terren, nuk vumë re që të zhvilloheshin restaurime në objektin e Xhamisë, dhe nuk kishte asnjë tabelë që të paralajmëronte se do te kishte punime.
Foto e postuar në Facebook nga IKTK.
Raporti i publikuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shkruan mbi dëmtimet e inspektuara, ku nuk përmendet në asnjë moment Xhamia. E njejta gjë shihet edhe tek termat e referencës.
“Pas tërmetit të datës 26.11.2019, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe specialistët e DRTK Tiranë, kanë bërë inspektimin e monumentit, i cili rezulton në gjendje tepër të dëmtuar. Kulla e Sahatit, muri i fortifikuar dhe një nga kullat (ajo veri-lindore), kanë pësuar dëme të mëdha, duke shfaqur një rrezik për rënien totale të strukturës dhe për zonën përreth. Pjesa prej murature guri të Kullës së Sahatit dhe murit të fortifikuar janë shkatërruar dhe kanë rënë. Çatia është shkatërruar plotësisht. Gjithashtu pjesa veriore e kullës nr. 2, është shembur. Me Vendim të KKTKM-së Nr. 10, datë 15.01.2021 u miratua Projekti “Ndërhyrje emergjente përforcuese në Kalanë e Prezës” me aplikues CHVVB dhe financues Fondin e Ambasadorit Amerikan.”
Një nga detyrat e fituesit të kontratës për hartimin e projektit të parë të studimit për Kalanë e Prezës kërkon që projektimi të bëhet “duke hartuar Planin e Konservimit, Inspektimin teknik, Projekt Idenë dhe Projektin e Detajuar të Zbatimit”, si dhe kërkohet “caktimi i ndërhyrjeve dhe kostot e tyre respektive”. Kostoja për këtë projekt dhe studim llogaritet në rreth 178 mijë dollarë, pa përfshirë këtu punimet zbatuese.
Nga vëzhgimi i tabelës së punimeve në terren rezulton se për ndërhyrjen në Kalanë e Prezës, dy kullat dhe murin verilindor, projektues është CHvvB, dhe jo subjektet shqiptare fituese. Kostoja totale e ndërhyrjes që po bëhet nga CHWB është përllogaritur në 152 mijë dollarë, ku përveç hartimit të projektit emergjent për stabilizimin e strukturës, kanë kryer edhe hartimin e projekteve përfundimtare të restaurimit dhe riaftësimit strukturor.
Kostoja e Prokuruar e Projektimit | Kostoja e donatorit (Kostoja totale e ndërhyrjes restauruese) |
178 mijë dollarë | 152 mijë dollarë |
Foto ilustruese e Termave të Referencës për ndërhyrjen në Prezë. Burimi: IKTK.
Ndërkohë, në projektin e dytë të Xhamisë së Prezës, objekt ky që nuk është përmendur në listën fillestare të objekteve të inspektuara si të dëmtuara nga IKTK, tek termat e referencës theksohet nevoja për të hartuar një projekt gjithëpërfshirës, i cili integron edhe pjesën tjetër të Kalasë:
“Me vendim të KKTKM-së Nr. 10, datë 15.01.2021 u miratua Projekti ‘Ndërhyrje emergjente përforcuese në Kalanë e Prezës’ me aplikues CHvvB dhe financues Fondin e Ambasadorit Amerikan… Sa më sipër, procesi për hartimin e projektit për ndërhyrje emergjente dhe përforcuese për Kullën e Sahatit, Kullën Verilindore dhe Murin Verilindor, ka përfunduar. Në mënyrë që të realizohet një projekt gjithë përfshirës dhe i integruar, është e domosdoshme hartimi i projektit për ndërhyrje konservuese dhe përforcuese për pjesën tjetër të Kalasë së Prezës.”
Pra, edhe nga citimi i mësipërm kuptojmë se projekti i miratuar është i CHWB dhe financuesi është Fondi i Ambasadorëve. Është e paqartë se kur dhe kush e ka identifikuar këtë domosdoshmëri dhe përse nuk është identifikuar që në momentin fillestar të vlerësimit.
Por në termat e referencës për projektin e dytë të Kalasë së Prezës, ku fitues janë të njëjtat subjekte, theksohet se “Me Vendim të KKTKM-së Nr. 478, datë 09.12.2020 u miratua propozimi për ndryshimin e projekteve, në kuadër të procesit të rindërtimit, për objektet e kontratës së shërbimeve: Nr. 1814/11 Prot, dt.09.10.2020 për hartim projekti “Plani i konservimit, ndërhyrje përforcuese dhe restauruese në 5 objekte pasuri kulturore”, zëvendësim i objektit “Kulla e Sahatit dhe Kulla Verilindore” me objektin “Xhamia në Kalanë e Prezës”. Në vijim u bë rialokimi i fondeve të rindërtimit të palikuiduara gjatë vitit 2020.”
Nga relacioni 12 mujor i IKTK thuhet se: “Në vijim të konstatimeve, në mbledhjen e KKTKM-së datë 09.12.2020 me Vendim Nr. 476, 477 dhe 478, datë 09.12.2020, janë miratuar propozimet e ndryshimeve: Në kuadër të kontratës me Nr. 1814/11 Prot., datë 09.10.2020 për “Hartim Projekti “Plani i Konservimit, ndërhyrje përforcuese dhe restauruese në 5 objekte pasuri kulturore” zëvendësimi i “Kullës së Sahatit dhe Kulla Verilindore” me objektin “Xhamia në Kalanë e Prezës”.
Duke qenë që projektimin e kishte kryer CHWB, kontratës ekzistuese me subjektet shqiptare i ndryshohet objekti i ndërhyrjes duke vendosur tashmë si objekt “Xhaminë në Kalanë e Prezës”, pa qenë në listen fillestare të objekteve të dëmtuara.
Ky ndryshim objekti ështe bërë 2 muaj nga lidhja e kontrates së parë dhe vetëm 13 ditë nga përfundimi i afatit të saj. Është e paqartë që nëse objekti është ndryshuar në kontratën e parë, pse duhej lidhur kontrata e dytë? Dhe çfarë pune është kryer për kontratën e parë, një vlerë e së cilës mbetet ende pa paguar? Hartimi i projektit për kullat apo për xhaminë? Ndërkohë me VKM janë alokuar fonde të rindërtimit për hartimin e projekteve të dëmtuara, nuk u amendua kontrata e parë sikundër është thënë në vendimin e KKTKM-së Nr. 478 të datës 09.12.2020, por u hap në vitin 2021 një prokurim i ri dhe u lidh një kontratë e dytë. Fitues ishin të njëjtët subjekte si në kontratën e parë. Ndërkohë një pjesë e pagesës për kontratën e parë në vlerë 19.5 milionë lekë nuk është kryer ende nga IKTK, megjithëse ajo ka përfunduar në 22 dhjetor 2020.
Ështe e paqartë nëse kjo vlerë i përket hartimit të projektit për Kalanë e Prezës, punë që është kryer nga CHWB, apo kontrata është ulur me këtë vlerë (sipas tabelës së Institutit vlera e kontratës nuk ka ndryshuar), apo do të paguhet, duke qenë që për hartimin e projektit të Xhamisë në Prezë, është lidhur një kontratë e re në maj 2021.
Kontrata e dytë për Xhaminë në Kalanë e Prezës është lidhur në datën 06.05.2021, dhe ka kushtuar 22.000.000 lekë ose rreth 212 mijë dollarë – edhe më shtrenjtë se sa pjesa e kontratës së parë e lidhur për ndërhyrjen në dy kullat dhe murin verilindor. Për më tepër ajo është realizuar ne vetëm 21 ditë kalendarike ose 15 ditë pune, dhe kontrata ka përfunduar në 26 maj 2021.
Banorët për mirëmbajtjen
Banorët treguan për Faktoje se ishin të pakënaqur me nivelin e mirëmbajtjes, duke thënë se prej kohësh aty nuk ishte vënë dorë.
“Unë kam jetuar gati gjithë jetën time aty, përditë e kam vizituar kalanë. Kalaja e Prezës është ngjitur me shkollën dhe ne e kemi patur si destinacion të përditshëm. Tërmeti e prishi Sahatin, që ka qenë historikisht pika më e lartë e zonës. Punimet për rindërtimin kanë filluar këtë vit, në mars-prill, goxha vonë. Nuk ka fare dorë nga pushteti vendor në asnjë lloj mënyre. Çdo gjë po prishet, dhe ato që kanë qenë mirë, sepse dorë nuk po vihet.” – thotë për Faktoje, Amarilda Kulli, 28 vjeç, banore e Prezës.
Foto ilustruese e kantierit të punimeve në Kalanë e Prezës.
Banorët ndihen të shqetësuar përballë motit të keq dhe tragjedive natyrore, por njëkohësisht fajësojnë reformën administrative, që solli bashkimin me Bashkinë e Vorës, prej së cilës ndihen të neglizhuar.
“Në fakt, nga shirat ka patur shumë dëme. Ne jemi shumë zonë kodrinore që kemi patur shumë probleme. Mendoj që po të bjerë tërmet ose shi tjetër, iku kalaja me gjithë shtëpitë e shumicës së banorëve. Çdo gjë sepse nuk ka vënë dorë askush për asgjë. Mua më dhemb shumë kur e shoh ashtu. Ka qenë qytezë para pak vitesh; u bë komunë dhe më pas njësi administrative. Qëkur jemi bashkuar me Bashkinë Vorë, ka ndodhur tragjedia e Prezës. Çdo gjë është prishur, edhe shkolla.” – shton Amarilda, duke iu referuar shirave të rëna përgjatë muajit janar.
Foto e postuar nga Elva Margariti në Twitter më 29.11.2019
Më 29 nëntor të vitit 2019 ministrja e Kulturës postoi një foto në rrjetin social Twitter, ku lajmëronte se hyrja në Kalanë e Prezës dhe të Krujës ishte rreptësisht e ndaluar, pasi tërmeti i 26 nëntorit kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha. Në foto vërehet shembja e sapondodhur në Kullën e Sahatit dhe një shirit rreth objektit, sinjalizues i perimetrit të sigurisë.
Foto ilustruese e marrë nga Plani i Konservimit të Kalasë së Prezës. Burimi: IKTK
Në 6 korrik 2021, ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi punimet në Prezë ku u shpreh se brenda një periudhe të shkurtër Kalaja e Prezës do të jetë e gatshme të presë vizitorë, pa dhënë një afat definitiv se kur pritej të përfundonte procesi i restaurimit.
Foto e tabelës informuese në Kalanë e Prezës. Datë: 16.07.2021
Përgjatë vizitës në terren, Faktoje shqyrtoi të dhënat e paraqitura në tabelën informuese të vendosur në hyrje të Kalasë, ku bëhet me dije se kohëzgjatja e punimeve konservuese dhe përforcuese në këtë kantier do të jetë 6 muaj. Nga një përllogaritje e thjeshtë, pritet që punimet të përfundojnë në fund të muajit shtator/fillim të muajit tetor 2021.
Tabela informuese nuk paraqet asnjë detaj për sa i përket kostove financiare, veçse bën me dije se projekti është financuar nga ‘The U.S. Fund for Cultural Preservation’ i Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Foto e shkëputur nga “Kërkesë për mbështetje financiare Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtim”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 13.
Sipas vlerës së adresuar në raportin e Ministrisë së Kulturës në Kërkesën për mbështetje financiare drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, totali i dëmtimeve të Kalasë së Prezës është përllogaritur në vleftën 20.000.000 lekë, ku përfshihet Kulla e Sahatit dhe Kulla verilindore, nga ku janë përllogaritur 1.195.978 lekë për projektin e emergjencës dhe 1.400.000 lekë për vlerësim, studim dhe projektim.
Nëse krahasojmë vlerën e parashikuar fillimisht nga Ministria e Kulturës, përllogariten 1.400.000 lekë për studimin, ndërsa në realitet vlerat e të dy kontratave të financuara në vitin 2020 dhe 2021 kanë kushtuar gati 40.500.000 lekë. Projekti i miratuar vetëm për hulumtimet, e tejkalon edhe shifrën fillestare të përllogaritur nga vetë Ministria e Kulturës, që supozohej të përfshinte fazën e ndërhyrjes emergjente në objekt, si dhe fazën e studimit.
Foto e shkëputur nga “Kërkesa dhe aplikime për mbështetje financiare nëpërmjet programeve të financimit dhe Donatorë potencialë”, Ministria e Kulturës. Burimi: Porta Vendore. Faqja 15.
Në po të njejtin raport nga Ministria e Kulturës bëhet me dije se sa është kostoja paraprake në dollarë amerikanë, e financuar nga Fondi i Ambasadorëve pranë Ambasadës Amerikane. Sipas tyre, projekti i Kalasë së Prezës është i ndarë në dy faza, ku faza e parë e stabilizimit emergjent të objektit ka kushtuar 12.000$, ndërsa faza e dytë, ajo e restaurimit të plotë do të kushtojë 140.000$.
Studimet për Kalanë e Prezës të financuara nga Fondi i Rindërtimit kanë kushtuar afërsisht 390 mijë dollarë, rreth 238 mijë dollarë më shtrenjtë se sa vetë procesi i restaurimit.
Faktoje iu drejtua organizatës Cultural Heritage VVithout Borders, për të mësuar më shumë rreth mbarëvajtjes së punimeve. Si fillim, është kryer hartimi i projektit të restaurimit si dhe është kryer përpilimi i projekt-propozimit për riaftësimin e strukturës. Më pas kanë nisur punimet në Kullën e Sahatit, ku fillimisht është rrethuar kantieri, janë vendosur sinjalistikat, tabelat informuese dhe është vendosur skela për kryerjen e punimeve. Më pas është vijuar me zbërthimin e gurëve dhe fragmenteve të lira të paqëndrueshme nga muratura.
Foto ilustruese e përgjigjes nga CHëB.
Në një postim në profilin e CHWB Albania, njësia zbatuese e punimeve në Prezë, shpjegoi një pjesë të procedurave të kryera:
“Që nga fillimi i fazës së zbatimit në Prill 2021, ne kemi kryer ndërhyrje të përkohshme përforcuese në kullën e sahatit përmes kavove të çelikut të tensionuar, si dhe me shiritave prej poliesteri. Ne gjithashtu kemi filluar konsolidimin dhe restaurimin e murit fortifikues midis kullave, duke fugatuar murin, duke konsoliduar kreun e muraturës dhe duke injektuar llaç në bërthamën e brendshme të tij.”
Në terren, Faktoje bisedoi me Myrvete Lazaj, teknike në ndërtim në projektin e restaurimit, e cila na shpjegoi se deri më sot, në Kullën e Sahatit: “Kemi bërë fugatimin, përforcimet për ta bërë gati për rindërtim, si dhe jane vendosur tirantat.”
Lazaj po ashtu na shpjegoi se tri problemet kryesore me të cilat ishin hasur dhe që kishin kërkuar më shumë kohë ishin: krijimi i mostrës së duhur të llaçit që të mirëpërshtatet me të gjitha fazat e ndërhyrjeve në objekt, zëvendësimi i gurëve të shembur me gurë të ngjashëm të mbledhur në shtëpitë e shembura të banorëve të Prezës nga tërmeti, si dhe porositja nga Italia e shufrave të inoksit dhe të tirandave mbajtëse.
Si po vijojnë punimet në Kullën Rrethore?
Foto ilustruese e pajantimit të Kullës Rrethore. Datë: 16.07.2021
Nga vëzhgimi i Faktoje në terren, restaurimi në Kullën Rrethore nuk kishte nisur ende dhe krahasuar me punimet në Kullën e Sahatit pak metra më tutje, procesi këtu dukej ende i ngadaltë. Pajantimi ishte kryer dhe objekti ishte vendosur në disa skela mbajtëse.
Foto ilustruese e shembjes së Kullës Rrethore parë nga lart. Datë: 16.07.2021
CHWB, në përgjigjen zyrtare, na bëri me dije se në Kullën Rrethore është vendosur skeleria dhe është bërë pajantim i murit të jashtëm të Kullës. Janë zbërthyer gurët dhe fragmentet e lira të muraturës, si dhe janë zbërthyer strukturat dhe ndërhyrjet arbitrare në Kullë. Aktualisht është kryer realizimi i gërmimeve dhe sondazheve në tri zona të kullës, si dhe po kryhen analiza dhe diskutime me specialistë rreth mënyrës së ndërhyrjes.
E njejta gjë na u konfirmua gjatë vizitës në kantier nga teknikja në ndërtim, Myrvete Lazaj, e cila tha për Faktoje: “Kulla Rrethore nuk ka filluar ende sepse nuk është bërë ende studimi gjeologjik dhe po presim përgjigjen nga Instituti i Gjeologjisë.”
Foto ilustruese e vegjetacionit në Kullën Rrethore. Datë: 16.07.2021
Muret rrethuese të Kalasë së Prezës
Gjatë vëzhgimit në terren, Faktoje fotografoi disa prej problematikave të mureve rrethuese. Muri jugor dhe ai jug-perëndimor paraqesnin nëpër të krisje të shumta në të tërë shtrirjen e perimetrit.
Një problematikë tjetër ishte prezenca e lartë e vegjetacionit në muret e Kalasë, sidomos në pjesën e tyre të brendshme.
Foto ilustruese të Kalasë së Prezës. Datë: 16.07.2021