Në skenën gjeopolitike ballkanike, udhëheqësit serbë kanë zhvilluar ndër vite një strategji të qëndrueshme për të krijuar kriza të herpashershme. Këto episode, që nuk janë të pakta, shpesh shoqërohen nga një mbulim mediatik spekulativ duke ushqyer një narrativë të vazhdueshme pasigurie në rajon.
Rasti më i fundit ishte në Beograd, ku u mblodh Këshilli i Sigurisë së Serbisë. Sipas mediave në Shqipëri, Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë të veprojë kundër Kosovës.
Në fakt, me një kërkim në rrjet rezulton se shefi i Shtabit të ushtrisë në Serbi, Milan Mojsilovic konfirmoi se ishin dhënë urdhra për Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ushtrinë, por detajet konkrete nuk u bënë pubike.
“Në Këshillin e Sigurimit u diskutua për keqtrajtimin e paprecedent të serbëve në Kosovë, dhe përdorimi i lëvizjeve të njëanshme që rrezikojnë jetën e serbëve ka dalë në pah në një kuptim shtrëngues, dhe kjo çështje ka merituar plotësisht vëmendjen jo vetëm të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, deklaroi për mediat shefi i shtabit të ushtrisë Serbe.
Pavarësisht këtij refreni (të vjetër) të Serbisë për keqtrajtimin e pretenduar të serbëve në Kosovë, në fakt deklarata e Mojsilovic nuk përmbante asnjë kërcënim dhe në asnjë moment nuk u njoftua që ushtria e serbisë të jetë urdhëruar të veprojë ndaj Kosovës.
Nikola Petrovic nga fondacioni ISAC në Serbi shpegon se udhëzimet e dhëna edhe pse janë sekrete, janë gjithmonë të njëjta dhe kërkojnë që situata në Kosovë të monitorohet dhe të vijojë bllokimi i marrjes së mbështetjes ndërkombëtare nga Kosova, gjë që e bën Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe më të rëndësishme se ushtrinë.
“Serbia është plotësisht e vetëdijshme se të vetmet dy gjëra që e mbajnë Kosovën pjesë të Serbisë (de jure) janë rezoluta 1244 e OKB-së dhe marrëveshja e Kumanovës, kështu që nuk do të fillojë asnjë veprim (dhe sidomos asnjë veprim ushtarak) kundër Kosovës për sa kohë që ka trupa ndërkombëtare atje” shpjegon Petrovic për Faktoje.
Edhe studiuesi i politikave nderkombetare, Ledion Krisafi e sheh të pamundur nisjen e një konflikti të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë për sa kohë në Kosovë është KFOR-i.
“Elita politike serbe e di shumë mire që çdo përpjekje për konflikt në Kosovë është përballje me NATO-n, gjë që Serbisë do i kushtonte shumë. Kjo nuk përjashton incidente si ai i Banjskës të përgatitura nga grupe paramilitare, por sot si KFOR si policia e Kosovës është më e përgatitur për raste të atilla” tha Kristafi për Faktoje.
Në fakt, tema kryesore e mbledhjes ishte një tjetër. Një dokument jozyrtar franko-gjerman mbi Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Republikën Serbe.
Krisafi shpjegon për Faktoje se kjo është një përpjekje e Gjermanisë dhe Francës për të hequr disa të drejta të Republikës Srpska në Bosnjë Hercegovinë, gjë që tregon se ndoshta mund të ketë levizje edhe në rastin e Kosovës për t’i bërë presion Serbisë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
“Elita politike serbe rreth Vuçiçit e lidh këtë me idenë që protestat e studentëve në Serbi mbështeten pikërisht nga Perëndimi që po vepron kundër serbëve në Bosnje dhe Kosovë dhe rrjedhimisht dhe kundër qeverisë së Vuçiçit. Është një skemë e ndërlikuar që ka si qëllim kryesor të shpëtojë Vuçiçin nga protestat dhe nga një humbje e mundshme e zgjedhjeve të ardhshme” argumenton ai.
Sa i përket pretendimit për “keqtrajtim” të serbëve në Kosovë, ky episod nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një narrative të përsëritur që përdoret nga zyrtarët serbë. Portretizimi i Kosovës si një kërcenim i përhershëm për serbët shpërben si një mjet strategjik për të justifikuar qëndrimet ushtarake dhe për të mobilizuar mbështetjen e brendshme.
“Në një masë të madhe është për konsum të brendshëm, për të treguar që Serbia qëndron e fortë në mbështetje të serbëve në Kosovë, pavarësisht se praktikisht nuk ka asnjë fuqi më në Kosovë. Sidomos në këtë periudhë të vështirë për Vuçiçin ka nevojë të tregojë vendosmëri,” shpjegon Krisafi për Faktoje.
Pavarësisht fabrikimeve të vazhdueshme të krizave dhe narrativës që Serbia kërkon të ngrejë kundër shtetit të Kosovës për përfitimet e saj politike, mediat duhet të qëndrojnë neutrale dhe të mos përcjellin këtë jeohnë, veçanërisht kur ajo nuk është aspak e bazuar në veprime konkrete të shtetit serb. Mbajtja gjallë e narrativës serbe vetëm sa nxit përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjes mes dy vendeve dhe nuk ndihmon në informimin e lexuesve mbi atë çka ndodh në të vërtetë.