Monedha izraelite nuk ka parashikuar sulmin ndaj kullave binjake në SHBA, siç thuhet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se këto pretendime janë pjesë e teorive të shumta konspirative që qarkullojnë në lidhje me këtë çështje.
Konspiracioneve mbi sulmet e 11 shtatorit në SHBA u janë shtuar së fundi edhe teori të reja që përfshijnë Izraelin. Disa postime të tilla në Facebook pretendojnë se izraelitët e kishin parashikuar sulmin ndaj kullave binjake dhe këtë vizion kanë vendosur ta përjetësojnë në një monedhë të tyre, të quajtur “Shekel”, të emetuar në vitin 1968.
“Ata e kishin ‘parashikuar’ shumë kohë më parë sulmin ‘terrorist nga myslimanët’? Fiks pas 33 viteve në 11.09.2001 ndodhi ‘sulmi terrorist mbi kullat binjake’? Për numrin 33 nuk po flas se çfarë do të thotë ky numër magjik për iluminatin”-shkruan një përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Postimi është shoqëruar me një foto, ku duket një monedhë izraelite dhe në të një avion, që po shkon drejt dy objekteve paralele, të ngjashme me kullat në Neë Jork, dhe më poshtë edhe një tank.
Nga kërkimet tona rezulton se objekti i paraqitur në postim, nuk është një monedhë, por një medalje përkujtimore. I njëjti imazh shfaqet edhe në bazën e të dhënave të “Cincinnati Judaica Fund” dhe Qendrës për Holokaustin dhe Edukimin Njerëzor, që e identifikon atë si një ‘Medalje përkujtimore të Luftës 6-Ditore të Izraelit’.
Pamja e para e saj përshkruan flamurin e izraelit me shpatë dhe degë ulliri në të dyja anët dhe një variant të motos kombëtare franceze “Liri, Vëllazëri, Barazi”, e përkthyer këtu si “Liri, Paqe, Vëllazëri”. Gjithashtu, fjala hebraike “Bazak” (i shpejtë) dhe “Nën yllin e Davidit, fushata 6 ditore” dhe poshtë periudha.
Lufta 6-ditore ishte një konflikt i shkurtër në qershor 1967 mes aleancës arabe të përbërë nga Egjipti, Jordania dhe Siria, dhe Izraelit, për shkak të bllokimit të ngushticës së Tiranit për anijet izraelite.
Prej nisjes se konfliktit me Hamas janë të shumta informacionet e rreme në lidhje me Izraelin që qarkullojnë në mediat sociale.