Ina Allkanjari
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf së bashku me një grup gazetarësh nga media dhe organizata të ndryshme, ku e ftuar ishte dhe Faktoje, vizitoi në 13-14 Prill, projekte të bashkëpunimit gjerman për zhvillim, të financuara dhe mbështetura nga KfW dhe GIZ në qarkun e Korçës.
Fokusi i këtij turi takimesh ishin investimet e kryera nga qeveria gjermane të cilat ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri.
Investimet e realizuara nga qeveria gjermane në bashkëpunim me shtetin shqiptar synojnë gjithashtu rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike për t’i dhënë impulse të reja ekonomisë në zonat me potencial turistik në bashkitë e Korꞔës, Pogradecit dhe Pustecit.
Impianti i Përpunimit të Ujrave të Zeza në fshatin Buçimas, është një ndër investimet e realizuara mes dy qeverive, asaj gjermane dhe shqiptare. Ambasadori Zingraf tha se ky është vetëm një nga investimet e suksesshme në Pogradec i cili duhet marrë si shembull edhe nga bashkitë e tjera në vend.
Ambasadori Gjerman Peter Zingraf gjatë inspektimit të Impiantit të Përpunimit të Ujrave të Zeza
“Uji dhe ujërat e ndotura janë dy sektorë kyç të investimeve të realizuara në bashkëpunim me partnerët shqiptarë, pasi këto dy sektorë kanë një impakt direkt në jetën e qytetarëve. Jo vetëm në jetën e njerëzve, por edhe tek mjedisi, pikërisht për të realizuar aktivitete të tilla kaq të rëndësishme ekonomike, siç mund të jenë ato turistike. Jemi duke vizituar një projekt i cili është duke u realizuar prej një kohe të gjatë, që është i suksesshëm dhe mund të shërbejë si model për bashki dhe komuna të tjera të vendit. Ekspertët vlerësojnë se puna më e madhe që duhet bërë për çeljen e negociatave të anëtarësimit, përqëndrohet në 2/3 e saj në nivel lokal dhe një pjesë e mirë e saj ka të bëjë me sektorin e investimit”- u shpreh ambasadori gjerman.
Impianti i Përpunimit të Ujrave të Zeza
Një ndër programet e financuara nga KfW është ai i mbrojtes së mjedisit për liqenin e Ohrit. Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i furnizimit me ujë për banorët e Pogradecit, shmangia e derdhjes së ujërave të zeza të patrajtuara në liqenin e Ohrit si dhe përmirësimi i kushteve higjieno-sanitare për banorët e zonës së projektit.
Përfitues të programit janë rreth 55,000 banorë të qytetit të Pogradecit dhe fshatrave përreth, si dhe një numër pothuajse i barabartë turistësh që vizitojnë këtë qytet çdo vit. Nga rreth 4 orë furnizim me ujë para fillimit të programit, qyteti i Pogradecit tashmë furnizohet me ujë të pijshëm mesatarisht 23 orë në ditë.
Bashkëpunimi financiar Gjermani – Shqipëri ka dhënë tanimë mbështetje edhe për ndërtimin e landfillit sanitar në Maliq të Korçës. Qëllimi i këtij projekti është mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të popullsisë në qarkun e Korçës nëpërmjet një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve.
Përfaqësues të ambasadës gjermane theksojnë se ky investim përfshin ndërtimin e qendrës së menaxhimit të mbetjeve në Maliq, ku u ndërtua një venddepozitim sanitar për mbetjet e zonës, impianti i trajtimit të ujërave të kontaminuara dhe godina e administratës. Gjithashtu theksojnë se u ndërtuan dy qendra transferimi të mbetjeve në Bilisht dhe Mollas për të ulur koston e transportit të mbetjeve nga zonat e thella.
Landfill-i sanitar në Maliq të Korçës
“Ju jeni një nga suportuesit më të mëdhenj të projektit. Kemi depozituar mbetje nga i gjithë qarku që prej momentit kur projekti ka funksionuar. Mbi 113 tonë është sasia mesatare e mbetjeve në ditën e sotme. Koncepti i menaxhimit të mbetjeve është kompleks dhe këtu bëjnë pjesë shmangia e mbetjeve, ripërdorimi i tyre dhe djegia. Ky projekt është më i miri i mundshëm edhe nga ana financiare”- u shpreh Drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Mbetjeve për rajonin Korçë, Nikolin Balli.
Bashkëpunimi Gjerman ka mbështetur gjithashtu Qendrën e Formimit Profesional në Korçë e cila ofron kurse profesionale për të rriturit e papunë, nëpërmjet ofrimit të kurseve Start Smart për soft skills, mbështetje për trajnimin e kuzhinierëve të ardhshëm dhe IT.
Ambasadori gjerman së bashku me grupin e gazetarëve vizitoi laboratorët e mbështetur nga GIZ.
Foto nga Qendra e Formimit Profesional në Korçë
Turi i kësaj vizite vijoi në Qendrën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, e cila që prej fillimeve të saj është mbështetur nga projekti EU for Innovation, i GIZ Albania, përmes programit Zhvillimi i Ekosistemeve Rajonale. Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, shoqëroi grupin e gazetarëve ndërkohë që vizitonin godinën plotësisht të rinovuar të Qendrës dhe ndau me ta vizionin e tij për ta kthyer qytetin në zemrën e inovacionit dhe sipërmarrjes, në juglindje të Shqipërisë.
Ambasadori gjerman Peter Zingraf në Qendrën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Korçë
Një tjetër bashkëpunim i realizuar me qeverinë gjermane konsiston në mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Prespës. Ky projekt ka për qëllim mbrojtjen e bimësisë, duke mundësuar grante të vogla për banorët që të zhvillojnë projektet e tyre turistike. Mbrojtja e liqenit të Prespës është një projekt që zhvillohet prej disa vitesh dhe është afatgjatë. Fokusi i këtij projekti është tek aktorët lokalë të cilët mbrojnë natyrën. Kryetari i bashkisë Pustec, Pali Kolevski thekson se është arritur një bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për mirëmbajtjen e ujrave në liqenin e Prespës.
“Kemi identifikuar pikat e ndotjes. Plani rregullues i Prespës ka dy elemente, që janë funksionaliteti i bregut të liqenit, ku ka ndikim njerëzor dhe çfarë do të bëhet për të zbutur këtë ndikim. Gjthashtu kemi bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për të realizuar menaxhimin dhe mbrojtjen e liqenit të Prespës, për të mbajtur pastër këtë liqen. Kemi rënë dakord me dy shtetet e tjera që në 5 qershor të këtij viti të realizohet një aksion pastrimi në të gjithë bregun e liqenit”- deklaroi Kryetari i bashkisë Pustec Pali Kolevski.