BallinaNë lupën e FakteveA është vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, pengesa për Konferencën Ndërqeveritare me BE?

A është vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, pengesa për Konferencën Ndërqeveritare me BE?

Marjo Brakaj

Prej më shumë se dy vitesh qeveria shqiptare premton dhe pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që do t’i jepte shtysë domethënëse negociatave për anëtarësim në BE. Pas dështimit të këtyre afateve kryeministri Rama ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se do të kërkojë ‘shkëputjen’ nga Maqedonia e Veriut në këtë proces, nëse tryeza nuk organizohet brenda qershorit 2022. Por a është vërtetë vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, shkaku i zvarritjes së mbledhjes së Parë Ndërqeveritare?
——————

“Në momentin që kjo nuk do të ndodhë ne do të ndryshojmë kursin komplet. Kursi ynë do të jetë që ne do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, absolutisht dhe do ta bëjmë në çdo instancë, me çdo qeveri të Bashkimit Europian, me Brukselin. Shqipëria nuk mund të presë që të zgjidhin një sherr mes tyre dy komshinj (me të cilët ne kemi marrëdhënie shumë të mira, s’kemi asnjë problem) për t’u ulur në tryezën e konferencës!”- tha kryeministri Rama më 7 prill të këtij viti, ose një muaj para afatit të radhës për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për integrimin në BE.

Këtë argument kryeministri Rama e mbështeti edhe në rezultatin e marrë nga “Këshillimi kombëtar” ku për pyetjen nëse Shqipëria duhet të vijojë procesin e integrimit, e ndarë nga RMV kishin dhënë mendim pro 343 420 qytetarë, kundrejt 96 910 qytetarëve që janë kundër.

Në fund të vitit 2021 kryeministri paralajmëroi se nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk mbahet brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Shqipëria do t’i kërkojë Komsionit Europian ‘shkëputjen’ nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Por, për politologun Afrim Krasniqi, këto qëndrime janë më shumë justifikime se argumenta bindëse. Sipas tij, vendi çalon ende në përmbushjen e disa kushteve.

Çështje si hetimet ndaj krimit elektoral, hetimet ndaj grupeve më të njohura kriminale dhe korruptive si dhe paketa që lidhet me lirinë e medias janë ende poshtë standardeve të kërkuara. Në këto rrethana Shqipëria nuk është penalizuar nga problematika brenda BE apo kushtëzimi bullgar për Maqedoninë e Veriut, por kryesisht nga fakti se vetë Shqipëria nuk ka rezultate të bindshme pozitive që të bindin vendet skeptike për votë pro bisedimeve.”– argumenton Krasniqi.
Për Krasniqin, edhe në rast të zgjidhjes së ngërçit të krijuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka shumë gjasa që Shqipëria të mos mund të zhvillojë gjithsesi Konferencën Ndërqeveritare.
Veto ndaj Maqedonisë së Veriut është më shumë alibi për Tiranën sesa argument. Vende të rëndësishme në BE vijojnë të jenë kritike për gjendjen e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Disa prej tyre kanë paralajmëruar se zgjidhja e krizës me Maqedoninë e Veriut është e pamjaftueshme për një progres domethënës në lidhje me Shqipërinë.” – shton Krasniqi.

Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ndan një opinion tjetër në lidhje me këtë çështje.

A jemi gati për t’u ulur? Besoj se po. Negociatat do të jenë një proces i gjatë dhe ndërkohë që ato zhvillohen, vendi duhet të forcojë kapacitetet për t’iu përgjigjur sfidave. Pra, duhet të kemi qëndrueshmëri lidhur me këto përpjekje, për më tepër që në bazë të metodologjisë së re, procesi mund të kthehet mbrapsht.” – thotë Vurmo.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe zv. President i Komisionit Europian, Josep Borrell më 15 mars të këtij viti, Rama rikujtoi qershorin e 2022 si afatin e fundit për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

“I takon Këshillit Europian, sa më parë ta bëjnë, aq më shumë është në nderin e tyre, sepse po kalon shumë kohë, duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet. Por ne kuptojmë që tanimë nuk është çështja e një vullneti të përbashkët të Këshillit Europian, sepse të gjitha vendet janë tani të gatshme t’i çelin këto bisedime; është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor” – tha Rama.

Për politologët Gjergji Vurmo dhe Afrim Krasniqi, mbajtja e takimit ndërqeveritar brenda qershorit ka shumë gjasa të mos ndodhë.
“Shanset që kjo të ndodhë janë të pakta. Sidomos në një kohë kur gjithë vëmendja është përqendruar tek agresioni rus në Ukrainë.” – thotë Vurmo.

Konferenca nuk pritet në qershor, por në shtator ose tetor, sepse praktika e punës është e tillë që nga vendimi deri tek jetësimi kërkohen disa muaj kohë dhe negociata. Shqipëria duhet të tejkalojë edhe testin e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë mendoj se nuk ka rëndësi data, aq sa ka që konferenca të bëhet këtë vit dhe që Shqipëria të jetë e përgatitur për ecurinë e bisedimeve” – argumenton Krasniqi.

Maxhoranca dhe opozita, nuk lëvizin nga pozicionet ‘protektive’

Faktoje pyeti edhe përfaqësuesin e Partisë Socialiste në Komisionin për Integrimin Europian, Bujar Çela lidhur me plotësimin e kushteve.

Mendoj se kushtet i kemi përmbushur prej kohësh, duke i përmbushur detyrat. Ka qenë Bashkimi Europian ai që nuk ka pasur një mendim të unifikuar.” – pohon Çela.

Anëtari tjetër në Komisionin për Integrimin Europian nga e “djathta”, Belind Këlliçi mendon ndryshe.

“Unë mendoj se qeveria e Shqipërisë nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, duke marrë në konsideratë të dhënat e raporteve ndërkombëtare për korrupsionin dhe lirinë e medias, që janë tregues se vendi ynë ka regres konstant në disa fusha, ku organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një prej tyre. Si shqiptar, dëshiroj që negociatat të hapen dhe vendi ynë të hyjë në një rrugëtim integrues më të monitoruar nga BE, ndonëse jam pesimist, nisur nga realiteti politik dhe ekonomik i vendit. Drejtësia nuk po vepron ende për shumë çështje që opozita i ka faktuar. Kjo na le në kufijtë e pandëshkueshmërisë ndaj korrupsionit politik, çka na largon nga standardet e BE për shtetin e së drejtës.” – argumenton Këlliçi.

Ne pyetëm dy deputetët edhe për qëndrimin e tyre sa i përket mundësisë së ndarjes nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt integrimit europian.
“Mendoj se ndarja nga Maqedonia e Veriut ka pak shanse të ndodhë. Këtu kam parasysh traditën e si janë anëtarësuar më herët në “union” vendet. Përgjithësisht ka ndodhur që procesi të ketë përfshirë më shumë se një vend njëkohësisht”. – thotë Çela.
Për Këlliçin, “kërcënimi” për të kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut nuk është asgjë tjetër vetëm se një “shashkë” që synon të mbulojë dështimet e qeverisë në vite.

“Ramës i duhet një fajtor, që t’i thotë shqiptarëve se varemi nga kapriçot ballkanike me sfond historik, nga nazet e bullgarëve dhe tekat e politikës nacionaliste maqedonase. Në të vërtetë, progresi i Shqipërisë varet vetëm nga shqiptarët, nga performanca e qeverisë dhe e shtetit shqiptar. Edi Rama nuk është në pozitën t’i vendosë kushte BE. Deklarata e tij është një zhurmë, për të mos thënë diçka tjetër, për konsum të brendshëm e për të mbushur gazetat e portalet me sensacione. Me Ramën në pushtet, Shqipëria ka 9 vjet që i është mbyllur dera e Bashkimit Europian.” – argumenton deputeti i PD.

Sa herë dështoi mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE?

Nëse nuk do ndodhë në fund të këtij viti, do të ndodhë me siguri vitin e ardhshëm”. Ishte kjo përgjigja e kryeministrit Edi Rama për pyetjen: “Kur mendoni se do të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare?” – të medias gjermane “Deutche Welle” në shqip më 19 shtator 2020, ose 6 muaj pas çeljes me kushte të negociatave të Shqipërisë nga Bashkimi Europian.

Tryeza e Parë Ndërqeveritare nuk u mbajt gjatë vitit 2020.

Në një konferencë të përbashkët me ministren për Bashkimin Europian dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler në fillim të majit të vitit të shkuar, edhe kryenegociatori i Shqipërisë për procesin e integrimit, Zef Mazi u shpreh optimist se Konferenca Ndërqeveritare do të mbahej brenda atij viti.

Jemi para vendimeve shumë të rëndësishme të unionit, ku ndër të tjera është edhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Po punohet nga Shqipëria dhe vendet e BE-së që të mbyllet sa më mirë brenda 6 muajsh.” – tha Mazi.

 

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përforcoi bindjen e mbajtjes së konferencës brenda qershorit të vitit të shkuar në një tjetër deklaratë më 23 maj.

Ne kemi pritshmëri të larta që Këshilli do të dakordësohet për të miratuar kornizën negocoiuese dhe për të zhvilluar Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit” – pohoi Xhaçka.

Por Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk u mbajt as në gjashtëmujorin e parë të 2021.

Taulant Balla, Kreu i grupit parlamentar socialist, në një deklaratë në muajin tetor, tha se shpresonte që Konferenca të mbahej brenda Krishtlindjeve.

Unë shpresoj që kjo konferencë të mbahet brenda Krishtlindjeve dhe i takon Bashkimit Europian të mbajë fjalën për sa më sipër.” – tha Balla.

As këtë herë, shpresat dhe deklaratat optimiste nuk sollën mbajtjen e takimit ndërqeveritar. Teksa kanë kaluar dy vite nga çelja e negociatave nga Komisioni Europian, Shqipëria ende nuk e ka mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020 dhe pas atij momenti, së bashku me Maqedoninë e Veriut duhej organizuar Tryeza e Parë Ndërqeveritare në të cilën do të përcaktohej edhe korniza negociuese. Ky do të shënonte edhe hapin formal konkret drejt integrimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img