Pretendimi: Presidenti ukrainas Zelensky planifikon të transferojë kryeqytetin e Ukrainës në Lviv pas humbjes së territoreve

Verdikti: E paprovuar

———————————————

Lajmi se presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky po planifikon të transferojë kryeqytetin e vendit nga Kievi në Lviv si pasojë e përparimit të ushtrisë ruse po ndahet së fundi në rrjetet sociale shqipfolëse. 

Si zakonisht, postimi nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë dhe ngjan me narrativën ruse që kërkon të motivojë publikun e saj të brendshëm për sukseset e ushtrisë në luftimet në Ukrainë.

Deri më tani nuk është bërë publike asnjë provë e ekzistencës së një plani të tillë dhe asnjë institucion zyrtar ukrainas nuk është zhvendosur nga kryeqyteti Kiev. 

Kështu, Faktoje u përpoq ta gjente vetë burimin e këtij lajmi të dyshimtë.

Duket se ai e ka origjinën në një artikull të botuar nga Asia Times në Janar 2024 me autor Stephen Bryen, një zëvendës-nënsekretar për Departamentin e Mbrojtjes gjatë administratës Reagan, në vitet ‘80. Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendimin e Bryen se Franca ka dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë.

Në artikullin e Janarit, Bryen shkruan:

“Politika e re e Ukrainës është shfaqur gjatë muajve të fundit. Nëse kuptohet saktë, politika është krijuar për t’u përballur me realitetin e ri se Ukraina do ta humbasë luftën dhe qeverisë së Ukrainës mund t’i duhet të evakuohet nga Kievi. Vendosja e Budanovit në krye, duke përfshirë zhvendosjen e kryeqytetit të Ukrainës, gjasat janë në Lviv, është themeli i kësaj politike.” 

Bryen, gjithashtu, nuk i referohet ndonjë burimi apo jep ndonjë provë për këtë pretendim. Ai duket më shumë si një konkluzion në të cilin ai ka mbërritur përmes një sërë spekulimesh.

Pretendimi i tij se Kyrylo Budanov, kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase do të zëvendësonte gjeneralin Valerii Zaluzhny si kreu i forcave të armatosura ukrainase mbetet i pavërtetë. Më 8 shkurt 2024, Zaluzhny u zëvendësua nga kolonel gjeneral Oleksandr Syrskyi si Komandant i Forcave të Armatosura të Ukrainës.