Një “incident” i keqinterpretuar në protokollin e pritjes së ministres së jashtme gjermane në samitin e G20 në Indi, është përdorur në disa postime për të nënkuptuar qëndrimin antiperëndimor të Indisë dhe mbështetjen e saj ndaj Rusisë. Faktoje vërtetoi se bëhet fjalë vetëm për një situatë të krijuar për shkak të ministres Baerbock, e cila “u nxitua” duke thyer rregullat protokollare.
Jona Plumbi
Një lajm i publikuar në median gjermane Focus Online në 4 mars, ku pretendohej se India nuk kishte zbatuar protokollin zyrtar gjatë pritjes në aeroport të ministres së jashtme gjermane Annalena Baerbock, bëri xhiron e rrjetit. Rrjetet sociale filluan të diskutonin kuptimin e videos ku ministrja shfaqet e vetme duke zbritur shkallët e avionit, pa tapetin e kuq apo zyrtarët shtetërorë që pretendohet të presin delegacionet shtetërore sipas protokollit. Kjo u nxit edhe më shumë pasi pritja e ministres së jashtme gjermane u krahasua me atë të ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, të cilin e pritën disa zyrtarë, në zbatim të protokollit shtetëror.
Ky mesazh është shpërndarë edhe në rrjetet sociale si tregues i qëndrimit që India ka ndaj Gjermanisë dhe Rusisë pas situatës në Ukrainë, pa bërë asnjë kërkim lidhur me çështjen.
Një kërkim në rrjet tregon edhe pikturën e plotë të asaj që ka ndodhur në Indi. Në fakt, një krahasim i thjeshtë i videove tregon qartë se tapeti i kuq nuk është pjesë e protokollit pritës në Indi, pasi kjo nuk është zbatuar as në rastin e pritjes së ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Përpos ksaj, një shpjegim i ambasadorit gjerman në Indi. Dr. Philipp Ackermann sqaron se arsyeja përse ministrja e jashtme gjermane zbriti nga avioni pa patur një numër zyrtarësh që e presin, si ndodh në rastin e Lavrov, është për shkak se ajo zbriti më herët sesa ishte parashikuar.
“Protokolli i Indisë ka bërë një punë të mahnitshme këtë javë.” – dëgjohet të thotë ambasadori gjerman në Indi. “Avioni i ministres gjermane mbërriti në aeroport pak më herët sesa ishte parashikuar. Asaj iu sugjerua të qëndronte në avion dhe të konsumonte dhe mëngjesin derisa të vinte ora e parashikuar, gjë të cilën ministrja e pranoi. Më pas, në mënyrë spondane ajo vendosi të dalë nga avioni, pa u pozicionuar delegacioni pritës sipas protokollit indian. Ky ishte plotësisht gabim i yni, gjermanëve, jo i Indisë” – thekson ambasadori gjerman Ackermann, i cili vijon duke theksuar faktin se ministrja, është dukshëm e qeshur teksa takon zyrtarët që nxitojnë të vihen në linjë për ta përshëndetur atë.
Në fakt, edhe media gjermane Fokus Online, e cila publikoi artikullin ku theksonte mungesën e zbatimit të protokollit pritës për rastin e ministres, tashmë e ka fshirë këtë publikim.
Fatkeqësisht procesi i verifikimit të informacioneve që shpërndahen në rrjete sociale nuk është parësor për të gjithë, duke rezultuar shpesh në përhapjen pa vetëdije të propagandave të ndryshme keqdashëse.