.

.

BallinaPremtimeInceneratori I Fierit, ende jo funksional edhe pas shtyrjes së kontratës për në 31 mars

Inceneratori I Fierit, ende jo funksional edhe pas shtyrjes së kontratës për në 31 mars

AURORA SHPATAJ

Inceneratori i Fierit duhej të ishte gati në 31 mars të këtij viti, sipas kontraës së rinovuar mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës kanalizimeve dhe Infrastrukturës së mbetjeve dhe kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k”. Pas disa afateve të shkelura për përfundimin e veprës, drejtuesit e projektit i komunikuan kryeministrit Rama gjatë inspektimit në 6 prill, se ajo do të jetë gati në fund të këtij muaji.

Inceneratori i Fierit nuk u arrit të përfundohej as në 31 mars të këtij viti, ashtu siç parashikonte kontrata e rinovuar në datën 11 tetor 2020.

 

Kontrata që parashikon shtyrjen e afatit të punimeve për inceneratorin e Fierit deri në 31 mars 2021

Edhe ky afat u shkel dhe kjo vërtetohet nga inspektimi që kryeministri Rama bëri në 6 prill, në Fier.

Armando Subashi u shpreh gjatë vizitës në inceneratorin e Fierit që:

“Së shpejti do jetë gati impianti ultramodern i Përpunimit të Mbetjeve, që do të mbyllë të tjera plagë mjedisore kancoregjene në qarkun e Fierit.”- tha kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi,ndërsa shoqërohej nga kryeministri Rama.

Inxhinieri Enid Dine garantoi kryeministrin për përfundimin e impiantit në fund të këtij muaji.

“Në fund të muajit prill kjo vihet në funksion 100% në procesin e vet”- tha ai.

Në fakt i njëjti person, në 15 tetor të vitit të kaluar u shpreh.

“Landfilli dhe impianti i trajtimit të ujërave është i përfunduar 100% dhe është gati për pritjen e mbetjeve për të cilën ne kemi kontaktuar dhe bashkitë e qarkut Fier. Sugjeroj që të mos paragjykojnë jashtë këtij objekti, por të mund të vijnë ta shikojnë e ta prekin nga afër këtë vepër. Punimet përfundojnë në dhjetor, ju ftoj ta inagurojmë së bashku.”

Edhe ministri i Mjedisit Blendi Klosi, kishte deklaruar në 18 tetor nisjen e punës në impiant brenda dhjetorit 2020, por siç zbuloi Faktoje, kjo deklaratë rezultoi të ishte bërë disa ditë pas zyrtarizimit të shtyrjes së kontratës me parashikimin që punimet të përfundonin në fund të marsit.

Në 8 prill Faktoje shkoi në terren për të parë nga afër impiantin e përpunimit të mbetjeve, por nuk u lejua të futet brenda me argumentin se duhet një leje zyrtare nga drejtoria.

Gjatë komunikimit që patëm me një nga administratorët e impiantit ai u shpreh:

“Jemi në proces kolaudimi, shumë shpejt përfundojmë dhe nisim nga puna.” Gjithashtu disa punonjës që nuk pranuan të identifikoheshin, na treguan: “Po punohet, po nuk na lejohet t’ju fusim brenda. Urdhërat janë nga lart!”

Nga vëzhgimi dalluam se makineritë e punës ishin ende përreth impiantit të Përpunimit të Mbetjeve.

Inceneratori i Fierit, sipas parashikimit fillestar në kontratën e nënshkruar me kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k” duhej të ishte në funksion prej muajit shtator 2019. Megjithatë deri më sot, pavarësisht skadimit të afateve dhe shtyrjes së kontratës, ky impiant ende nuk është gati.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img