BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIdentiteti i mjekut Goda keqpërdoret online për shitjen e preparatit të tensionit

Identiteti i mjekut Goda keqpërdoret online për shitjen e preparatit të tensionit

Preparatet e reklamuara në portalet nuk i japin fund problemeve me tensionin. Faktoje denoncon një tjetër rast, ku mjekë të njohur janë përdorur për të reklamuar produkte, të cilat nuk janë as në listën e barnave.

Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale pretendon se mjeku i njohur kardiolog, Artan Goda ka zbuluar një medikament që i jep zgjidhje përfundimtare problemeve me tensionin

Kardiologu më i njohur, Artan Goda dha një intervistë të hapur rreth trajtimit të njerëzve në Shqipëri”-shkruan faqja e Facebook që mban emrin “Tasteful ced5”.

Nëse do klikojmë linkun, na dërgon në një faqe që është e ndërtuar si website i televizonit kombëtar Top Channel.

Tragjedia në Shqipëri! Askush nuk duhet të vdesë për shkak të një tensioni të lartë të gjakut! Por mjekët kanë gjetur një zgjidhje!”-shkruan portali.

Më tej në brendësi të artikullit jepet përshkrimi i një sherri që supozohet se ka ndodhur në një emisioni televiziv. Nga mënyra si janë formuluar fjalitë, duket qartë që kemi të bëjmë me një përkthim të keq.

“As mjekët më të përvojshëm nuk mund të kundërshtonin pohimin. Një nga ekspertët e ftuar papritur filloi të flasë jo nga ekrani. Deklarata e tij la pa fjalë spektatorët e pranishëm në studio. Por, deklarata e ekspertit tronditi veçanërisht mjekët”, thuhet më tej në këtë shkrim.

Qëllimi i shkrimit është të prezantojë një preparat të quatur Hypertea dhe për këtë përdor një intervistë të sajuar me mjekun kardiolog, Artan Goda. Përpos kopjimit të website, artikulli është shkruar me gabime të shumta logjike. Ne iu drejtuam edhe mjekut Goda për një konfirmim të mëtejshëm. Ai sqaron për Faktoje: “Intervista është komplet e rremë, sepse une nuk kam dhënë asnjë intervistë. Eshte shprehje tipike e abuzimit me teknologjinë në duart e nje tufe matrapazësh mizerabël që mashtrojme dhe turpërojnë shoqërinë.
Sidoqoftë ju falenderoj për përpjekjet tuaja për demaskimin e tyre!”

Gjithashtu, në këtë shkrim është përdorur edhe një intevistë me një paciente që pretendohet se është 75 vjeçe dhe quhet Rasa Kuzminskienė.  Për të treguar pacienten, ata kanë përdorur edhe një foto ilustruese, por nga verifikimi i bërë nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove, rezulton se foto qarkullon në rrjet së paku që prej vitit 2016.

Më herët, në një përgjigje për Faktoje, Agjencia Kombëtare e Barnave sqaronte se “Hypertea” është një shtesë ushqimore dhe jo medikament. Ndërsa presidentja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma theksonte se: “Unë jam e bindur që nuk ka mjek që të reklamojë produkte të tilla. Duhet një reagim nga institucionet për të kontrolluar edhe këtë kategori produktesh pasi ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

Skemat e mashtrimit me qëllim shitjen e këtij preparati kanë përdorur edhe figura të njohura publike si Roza Anagnosti dhe Frederik Ndoci, të cilat Faktoje i ka raportuar në artikuj të publikuar më herët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img