Pretendimi se ushtria izraelite ka konfirmuar në rrjete sociale se ishte përgjegjëse për bombardimin e spitalit në Gaza është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se llogaria që kishte bërë këtë rrëfim nuk i përket dhe nuk ka lidhje me ushtrinë izraelite.
——————————–
Në hapësirat online po shpërndahet një screenshot i një postimi nga ç’pretendohet se është llogaria në Facebook e ushtrisë izraelite, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Postimi në arabisht përkthehet në: “Për shkak të mungesës së pajisjeve dhe stafit mjekësor, u vendos që të bombardohet spitali Baptist në Gaza dhe të eutanazohen.”
Ajo që vihet re fillimisht është se llogaria që e ka postuar këtë deklaratë nuk mban shenjën e llogarive të verifikuara në Facebook.
Në fakt, logo e llogarisë që ka bërë postimin nuk përkon me logot e përdorura në faqet zyrtare të Facebook të ushtrisë izraelite.
Faqja zyrtare e IDF në anglisht
Faqja zyrtare e IDF në hebraisht
Ndërsa mesazhet e IDF në Arabisht publikohen në faqen e kreut të degës arabe të Njësisë Zëdhënëse të IDF, Avichay Adraee.
Faqja zyrtare e Avichay Adraee
Adraee, zëdhënësi kryesor i IDF në gjuhën arabe, konfirmoi më 17 tetor, me anë të një postimi në Tëitter, se “nuk kishte lëshuar ndonjë deklaratë apo koment sa i përket spitalit Baptist në Gaza.”
Zyra e shtypit e IDF gjithashtu konfirmoi për Associated Press se postimi nuk ishte bërë nga faqja zyrtare e ushtrisë në Arabisht.
Sa i përket llogarisë në screenshotin që po qarkullon në rrjet, ajo nuk gjendet në Facebook. Një përfaqësues nga Meta tha për Reuters se faqja ishte hequr nga Facebook.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë lajme të rreme mbi bombardimin e spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza.