BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashI rremë lajmi se bomba në spitalin e Gazës ishte prodhim amerikan

I rremë lajmi se bomba në spitalin e Gazës ishte prodhim amerikan

Lajmi se sipas Wall Street Journal bomba që u hodh në spitalin e Gazës ishte e modelit MK-84 prodhim Amerikan është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se as gazeta amerikane as ndonjë tjetër media madhore ndërkombëtare nuk e kanë botuar këtë lajm.

—————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se, sipas Wall Street Journal, “bomba që u hodh mbi spital [në Gaza] ishte e modelit MK-84 prodhim amerikan”.

Natën e 17 tetorit, një shpërthim në spitalin Al-Ahli Baptist në Gaza vrau mbi 500 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gaza. Qeveria palestineze ka akuzuar Izraelin si fajtor, ndërsa ushtria izraelite pretendon se shpërthimi u shkaktua nga një lëshim i dështuar i një rakete nga grupi militant Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ), një grup rival i Hamas. PIJ, nga ana e tyre, e kanë mohuar se janë përgjegjës.

Në mes të këtij pështjellimi, lajmi se bomba që goditi spitalin Al-Ahli ishte prodhim amerikan do të kishte bërë goxha bujë.

Por, çuditërisht, ai nuk është raportuar nga asnjë nga mediat madhore ndërkombëtare. Një kërkim në faqen zyrtare të Wall Street Journal për emrin e modelit të bombës “MK-84” nuk jep asnjë rezultat.

Pretendimi se Wall Street Journal ka raportuar se bomba që goditi spitalin ishte prodhim amerikan duket se është shpikje.

Madje, në artikullin më të fundit mbi shpërthimin e spitalit, Wall Street Journal raportoi se, sipas ekspertëve amerikanë, provat sugjerojnë se spitali u godit nga një raketë e militantëve palestinezë. Media të tjera ndërkombëtare kanë kontaktuar gazetën amerikane për të konfirmuar se bëhet fjalë për një lajm të rremë. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img