Anulimi i turneut të këngëtarit kanadez, Justin Bieber, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore është shoqëruar në rrjet me aludimet për shfaqjen e pasojave të vaksinimit kundër Covid-19. “Faktoje” sjell një sërë argumentesh që e hedhin poshtë këtë pretendim.
——————————
Në postim i shpërndarë në rrjetet sociale pretendon se këngëtari Justin Bieber është paralizuar në fytyrë për shkak të vaksinave anti-Covid.
“Këngëtari kanadez Justin Bieber anulon turneun botëror. Paralizën e fytyrës e ka për shkakun e vaksinimit mARN, e megjithatë ai nuk është shprehur kundër vaksinimit”, shkruan në 6 mars një përdorues shqiptar i Facebook.
Screenshot, postimi në rrjetet sociale
Postimi bazohet në një lajm të vërtetë, siç është ai se Justin Bieber anuloi disa ditë më parë të gjitha datat e mbetura të turneut të tij botëror “Justice”, për shkak të problemeve shëndetësore. Këngëtari 29-vjeçar e kishte shtyrë disa herë turneun, duke njoftuar fansat verën e kaluar se vuante nga paraliza e fytyrës, e cila vinte si shkak i sindromës ‘Ramsay Hunt’ (RHS).
RHS njihet si një sëmundje imunitare, e cila është e lidhur me situata lodhjeje dhe stresi të theksuar që mund të kalojë një pacient. Ky stres ndikon që imuniteti të mos luftojë dot virusin e fjetur të lisë së dhenve, virus që pjesa më e madhe e njerëzve e marrin kur janë fëmijë. Rizgjimi i këtij virusi në moshë të madhe sjell shpërthimin e herpesit që prek nervin e fytyrës pranë veshëve, duke shkaktuar paralizë në një pjesë të fytyrës.
Mirëpo, ky njoftim i këngëtarit për gjendjen shëndetësore nxiti dhe teoritë konspirative, që aludonin se gjendja fizike e tij lidhet me vaksinimin.
Justin Bieber është treguar gjithmonë i hapur me fansat e tij për sa i përket gjendjes shëndetësore. Edhe gjatë 2020 ai ka rrëfyer së vuante nga sëmundje të tjera.
Mirëpo, në asnjë dalje të tij publike Bieber nuk ka e lidhur gjendjen e tij shëndetësore me vaksinën, madje nuk dihet nëse ai është vaksinuar kundër Covid-19. Nuk ka asnjë koment publik nga këngëtari kanadez nëse është vaksinuar ose jo.
Kolegët tanë të “Reuters” kanë trajtuar këtë pretendim duke raportuar pas komunikimit me shumë ekspertë se nuk ka asnjë lidhje mes sindromës RHS dhe vaksinës së Covid-19.
Waleed Javaid, prefesor I Mjekësisë tha për “Reuters” se asnjë lidhje nuk është zbuluar mes tyre deri më sot. Evans, nga Universiteti ‘Queen’s’, shtoi se çdo pretendim i një lidhjeje “është spekulativ”.
Ndërkohë, ekspertë thanë për kolegët e “Politifact”, se nuk ka asnjë provë që vaksinat anti-Covid po shkaktojnë ose kontribuojnë në sindromën Ramsay Hunt.