Aktori Mel Gibson nuk ka bërë asnjë postim në mbështetje të Palestinës, duke paralajmëruar fundin e Izraelit, siç pretendohet në postime të shpërndara në mediat sociale në vendin tonë.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se aktori Mel Gibson ka deklaruar se fundi i Izraelit është pranë, ndaj po shkatërrojnë gjithçka.
“E dinë se fundi i tyre është afruar, prandaj shkatërrojnë çdo gjë..”-shkruajnë përdoruesit në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Publikimi, që supozohet se është bërë nga aktori, shoqërohet me një foto të flamurit të Izraelit, me simbolin izraelit të ndryshuar në një orë rëre. Për ta bërë të besueshme, përdoruesit kanë shkëputur një pjesë nga postimi që thuhet se e ka bërë Gibson, duke e shpërndarë bashkë me foton e aktorit të njohur.
Ne bëmë një kërkim në rrjetet sociale, por nuk rezulton që Gibson të ketë llogari të tij personale në këto platforma, por janë faqe të krijuara nga fansa të tij. Gjithashtu, gjatë kërkimit në internet, nuk gjetëm asnjë informacion nga media të besueshme që të shkruante për këtë postim të aktorit.
Është e vërtetë që Gibson ka shprehur disa pikëpamje antisemite në të kaluarën, mirëpo postimi në fjalë ishte i rremë dhe kjo është verifikuar edhe nga kolegët e mediave fakt-verifikuese në botë.
Gazeta e pavarur libaneze “An-Nahar” gjithashtu hodhi poshtë këtë postim të supozuar të Gibson, duke e quajtur atë “të rremë dhe të fabrikuar”.
Faktoje ka verifikuar një sërë artikujsh të rremë, që janë përhapur në lidhje me luftën mes Izraelit dhe Hamasit.