Pretendimet e ngritura në portale se forma e kërthizës është një tregues i sëmundjeve që mund të kërcënojnë shëndetin tuaj, hidhet poshtë nga specialistët e shëndetit. Faktoje verifikoi se nuk ekziston asnjë studim apo lidhje e mirëfilltë mes dy faktorëve.
Një artikull i publikuar në portale pretendon se forma e kërthizës është një tregues për të zbuluar llojet e sëmundjeve që rrezikojnë shëndetin tonë.
“Shikoni formën e kërthizës suaj për të zbuluar se cilat sëmundje ju kërcënojnë – me shumë saktësi”, shkruan portali “News”.
Screenshot, artikulli i publikuar nga portali
Artikulli shoqërohet edhe me një foto, ku shpjegohen një nga një format e kërthizës dhe lidhja e supozuar e tyre me probleme të caktuara të shëndetit.
“Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se forma e saj mund të paralajmërojë se cilat sëmundje janë më të ndjeshëm ndaj një personi”, shkruan ndër të tjera kjo media online. Artikulli ka tërhequr normalisht klikime të lexuesve që janë shqetësuar të kontrollojnë se çfarë parashikimi mund të fshihet për të ardhmen në kërthizën e tyre.
Ne bëmë një kërkim online, por vumë re që nuk kishte një studim të tillë. Madje, theksohet se forma e kërthizës nuk është një parashikues i jetëgjatëssë apo personalitetit të njeriut, siç pretendohet shpesh.
“Në vend që të shikoni kërthizën për të marrë parasysh jetëgjatësinë tuaj të mundshme, ju inkurajojmë të merrni parasysh faktorë të tjerë, më të bazuar në shkencë, si historia familjare, kushtet kronike dhe stilin e jetesës”, sugjerojnë ekspertët.
Faktoje pyeti mjeken gjinekologe, Mimoza Keta mbi rëndësinë e kordonit dhe nëse forma jonë e kërthizës është domosdoshmërisht një tregues që lidhet me shëndetin.
“Kordoni umbelikal shërben për të çuar gjakun dhe produktet ushqimore nga nëna te fëmija dhe anasjelltas. Merr dhe disa qeliza të gjakut te bebit që i kalon te nëna. Nuk kam dëgjuar që forma e kërthizës të ketë lidhje me sëmundje të caktuara”, sqaron mjekja.
Në lidhje me formën e kërthizës dhe lidhjet me shëndetin, mjekët shprehen: “Çdo kërthizë është e ndryshme, në formë, madhësi dhe rrudha të lëkurës. Forma e kërthizës tuaj në thelb përcakton mënyrën se si shërohet kordoni i kërthizës pas lindjes. Format e kërthizës nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndonjë gjë të veçantë për shëndetin tuaj”.
Shënim:
Data 17 korrik 2023 website https://alhikmaofficial.com dhe faqja në Facebook e Tema Ditore kanë korrigjuar tekstin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.