Pretendimi: Në Peru janë zbuluar disa mbetje të trupave të alienëve të lashtë
Verdikti: E pavërtetë
Në mediat shqiptare ka qarkulluar në 27 prill pretendimi se në Peru janë gjetur kufoma të mumifikuara, ADN-ja e të cilave tregon se nuk janë krijesa tokësore. Pretendimi i ndarë dhe në rrjetin e ri social Threads ndahet si zbulimi që “do të ndryshojë kursin e historisë”.
Postimi i artikullit nw rrjetin Threads
Artikulli në fjalë është përkthyer nga tabloidi anglez Ladbible, i cili përhap shpesh lajme të rreme. Në artikull pretendohet se disa trupa të çuditshëm që u gjendën mes pakove të dërgesave në aeroportin në Lima në Peru, janë trupa alienësh. Kjo e vërtetuar sipas artikullit nga analiza e AND, e cila nuk gjendet në speciet tokësore.
Ky lajm bombastik për ndryshimin e rrjedhës së historisë nuk tregon të gjitha anët e medaljes. Një analizë shkencore e këtyre “trupa” ka treguar që ato nuk janë aspak krijesa aliene, por kukulla të sajuara të cilat po përdorën për të përhapur teori konspiraconi mbi alienët.
“Rezulton se këto gjetje janë kukulla të bëra nga kockat e kafshëve nga ky planet, të bashkuara përmes një ngjitësi modern sintetik,” tha Flavio Estrada, një arkeolog me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Perusë, sipas Reuters.
Teksti i LadBible citon ufologun Jamie Maussa. Së pari, ufologjia nuk është një shkencë e vërtetë, dhe bëhet fjalë për amatorë pa kualifikime shkencore, të cilët përsërisin teori konspiracioni mbi alienët dhe UFO-t. Jamie Maussa është një gazetar meksikan dhe në të shkuarën ai ka tentuar të përhapë lajme të rreme mbi alienët. Në një rast kulmor të tillë, ai shfaqi përpara parlamentit meksikan kukulla të krijuara nga dora e njeriut me eshtra të krijesave të ndryshme, të cilat ai pretendonte se ishin trupa njëmijëvjeçar alienësh.