Lajmi se Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve ka pranuar se 120 mijë fëmijë amerikanë vdiqën papritmas pas futjes së vaksinave anti-Covid është i pasaktë. Verifikimi i “Faktoje” i vendos këto shifra në kontekstin e munguar.
———————————-
Një artikull i portalit amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch, po qarkullon në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse. Artikulli mban titullin “CDC [Qendra amerikane për Kontrolin e Sëmundjeve] pranon se 120 mijë fëmijë ‘vdiqën papritur’ pas fillimit të vaksinimit anti-Covid”
Artikulli, i përkthyer në shqip, po qarkullon nëpër rrathët e konspiracionistëve anti-vaksinë.
Megjithatë, artikulli nuk i referohet ndonjë raporti të CDC, por të dhënave të publikuara nga një organizatë ndërkombëtare, Organizata për Zhvillimin Ekonomik dhe Bashkëpunim OECD sa i përket vdekjeve të shtuara në 2020-2022.
Një zëdhënës nga OECD tha për Reuters se këto shifra tregojnë “numrin e vdekjeve shtesë të dokumentuara – nga të gjitha shkaqet, të papritura apo jo, secilën javë krahasuar me mesataren e pritshme.”
Brian Tsai, një zëdhënës i Qendrës Kombëtare për Statistikat e Shëndetit pranë CDC, tha për Associated Press se nga fillimi i 2021 deri në javën e 43 të 2022, ka patur rreth 124 mijë vdekje të shtuara në ShBA në grupmoshën 0-44 vjeç, krahasuar me mesataren e 2015-2019. Megjithatë, tha ai, nuk ka tregues që provojnë se kjo ka lidhje me vaksinimin.
124 mijë vdekjet e shtuara ndahen në 80 mijë vdekje të shtuara në 2021 dhe rreth 44 mijë në 2022. Vdekjet e shtuara në 2022 përngjasojnë me ato të 2020 (46 mijë).
Tsai tha se me gjasa arsyet për vdekshmërinë e shtuar në këtë grupmoshë që në 2020 përfshijnë “rritjen e vdekjeve aksidentale (kryesisht mbidoza nga droga), vetëvrasjet, vrasjet, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mëlçisë, dhe diabeti.” Ai tha gjithashtu se një numër domethënës i vdekjeve të shtuara janë si pasojë e Covid-19.
Për shembull, një rritje e vdekjeve të shtuara tek fëmijët dhe të rinjtë në verën e 2021 korrespondon me shfaqjen e variantit Delta të Covid-19 në ShBA. ky variant preku të rinjtë më shumë se variantet paraardhëse të virusit.
Të dhënat nga faqja e CDC tregojnë shkallën e vdekshmërisë së shtuar, për të gjitha moshat, ndarë sipas nëse kanë patur Covid-19 apo jo.
Grafiku i mësipërm, i ndërtuar me këto të dhëna, tregon se majat ngjyrë blu kalojnë numrin e pritshëm të vdekjeve (vija portokalli) kur në numrin e vdekjeve përllogariten vdekjet nga Covid-19, ndërsa vdekjet e tjera (me jeshile) përafrohen me pritshmërinë.
“Deri më tani, CDC nuk ka vënë re ndonjë paternë të pazakontë apo të papritur vdekshmërie pas imunizimit që do të tregonte se vaksinat anti-Covid po shkaktojnë apo kontribuojnë në vdekje,” zëdhënësi i CDC tha për Reuters. “Deklarata që insinuojnë se raportimet e vdekjeve pas vaksinimit barazojnë vdekje të shkaktuara nga vaksinimi janë të pasakta shkencërisht, keqinformuese, dhe të papërgjegjshme.”
Pas një analize të gati 18000 raportimesh paraprake vdekjesh të depozituara në Sistemin e Raportimit të Efekteve të Padëshiruara nga Vaksina (VAERS) dhe një inspektim i certifikateve të vdekjes, autopsive dhe të dhënave mjekësore, CDC ka “identifikuar 9 vdekje që lidhen në mënyrë shkak-pasojë me vaksinimin J&J/Janssen COVID-19.”