Lajmi se Kisha e Shën Porfirit në Gaza, një nga kishat më të vjetra në botë, është shkatërruar si pasojë e bombardimeve izraelite është i pavërtetë. Një njoftim nga vetë Kisha e Shën Profirit konfirmon se ajo është e pacënuar dhe operacionale.
———————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se bombardimet izraelite në Gaza kanë shkatërruar kishën ortodokse të Shën Porfirit në këtë qytet.
Kisha e Shën Porfirit është shenjtëruar në vitin 1150, megjithëse një kishë ka ekzistuar në atë vendndodhje që në vitin 425. Kjo e bën atë një nga kishat më të vjetra në botë dhe një monument të rëndësishëm historik.
Lajmi se ajo ishte shkatërruar nga bombat izraelite u bë publik fillimisht në Twitter, më 9 tetor 2023.
Megjithatë, pas shpërndarjes së këtij lajmi, faqja në Facebook e Kishës së Shën Porfirit e ka mohuar vërtetësinë e tij duke postuar se “Kisha e Shën Porfirit në Gaza është e paprekur dhe po operon në shërbim të komunitetit.” “Lajmet që qarkullojnë se kisha është dëmtuar janë të rreme,” shkruan postimi.
Megjithatë, bombardimet izraelite kanë shkaktuar dëme dhe vdekje të konsiderueshme në Rripin e Gazës. Sipas ushtrisë izraelite, bombardimet kanë shënjestruar mbi 200 vende të ndryshme në qytet. Bombardimet izraelite dëmtuan rëndë lagjen qendrore të Gazës, Rimalin, dhe goditën zona me popullsi të dendur si kampet e refugjatëve në Jabalia dhe Shati.
Deri më 12 tetor, Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka raportuar se të paktën 1200 njerëz kanë vdekur si pasojë e bombardimeve izraelite, dhe rreth 5800 janë plagosur. Ndërkohë, ushtria Izraelite tha se sulmi i Hamas më 7 tetor vrau mbi 1200 njerëz, dhe la rreth 2800 të plagosur.