.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë lajmi për shkarkimin nga puna të maestros së “Big Brother”

I rremë lajmi për shkarkimin nga puna të maestros së “Big Brother”

Tenori Armaldo Kllogjeri nuk është shkarkuar nga puna si solist i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për shkak të sjelljes së tij në spektaklin “Big Brother VIP”, siç pretendohet nga portalet. TKOB sqaron se artisti do të vijojë normalisht punën pas përfundimit të emisionit, duke i uruar suksese në këtë rrugëtim.

————————————————————————————————————-

“Para gjithë shqiptarëve ürinoi/ Teatri i Operas dhe Baletit pushon nga puna maestron?”-shkruan portali “Urban News”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portalet 

Lajmi është publikuar edhe nga portale të tjera, të cilat pretendojnë qëndrime dhe masa të tjera të TKOB ndaj tenorit, siç është dhe bllokimi i ndjekjes në kanalin e Instagram.  “Teatri i Operas dhe Baletit merr vendimin e papritur ndaj Maestros pas gjestit në BBV”, shkruajnë ndër të tjera portalet. Lajmi që është ndarë në të njëjtin format në të gjitha portalet, shoqërohet edhe më një screenshot të profilit të TKOB në Instagram ku mungon mes ndjekësve profili i maestros Kllogjeri.

Në lidhje me këto lajme të publikuara gjatë fundjavës nga mediat online, “Faktoje” bëri një verifikim, fillimisht duke bërë një kërkim në faqen e Instagram të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Nga kërkimi rezulton se faqja zyrtare e TKOB, më 6 shkurt, ndryshe nga çfarë pretendohet nga portalet, vijon të ndjekë tenorin Armando Kllogjeri.

Screenshot, faqja e Instagram e TKOB

Gjithashtu, në lidhje me lajmin e shkarkimit nga puna të tenorit, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion TKOB, por edhe drejtoreshës së këtij institucioni. Në vijim, morëm një përgjigje prej tyre nëpërmjet një postimi publik të bërë në Instagram, ku Teatri bëri “tag” faqen e “Faktoje” në Instagram.

Në njoftimin e shpërndarë, TKOB sqaron: “Solistit të parë të TKOB-së, Armaldo Kllogjeri, nuk i janë shkëputur marrëdhëniet e punës me institucionin tonë. Atij i është dhënë leje nga drejtuesi i përgjithshëm i institucionit për të ndjekur emisionin ‘Big Brother Albania VIP 2’, sipas dispozitave të Kodit të Punës dhe VKM-ve të dala në zbatim të tij, në bazë të kërkesës së bërë nga prezantuesja e emisionit BBV2, Arbana Osmani. Me të mbaruar programi, tenori do të vijojë punën normalisht pranë TKOB-së. I dëshirojmë suksese tenorit dhe e mbështesim fuqishëm pjesëmarrjen e tij në program”.

Njoftimi i TKOB

Publikimi i lajmeve të tilla, pa asnjë bazë dhe të paverifikuara, shërbejnë si burim dizinformimi për lexuesit e mediave online dhe jo vetëm.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img