Pretendimi: Portugalia do hedhë në treg monedhën 7 Euro me fytyrën e futbollistit Cristiano Ronaldo

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Në disa media dhe portale shqipfolëse ka qarkulluar së fundmi lajmi se Portugalia ka njoftuar emetimin e një monedhë të re me vlerë 7 euro, në nder të yllit të futbollit Cristiano Ronaldo. Vlera 7 i referohet numrit të preferuar në fushë të portugezit të famshëm, ndërkohë që lajmi shoqërohet edhe me disa pamje të një monedhe apo medaljoni me fytyrën e Ronaldos të gdhendur në të. Artikujt nuk i referohen apo citojnë ndonjë burim për këtë lajm.

Në përpjekje për të gjetur një burim zyrtar për këtë lajm, Faktoje u ndesh me një përgënjeshtrim zyrtar, të lëshuar më 19 shtator nga Imprensa Nacional-Casa da Moeda (INCM) institucioni portugez i printimit të monedhave dhe kartmonedhave.

INCM postoiInstagram një përgënjeshtrim të lajmit dhe imazheve që e shoqërojnë. “Lajm i rremë. Duam të sqarojmë që ky informacion është krejt i rremë dhe që nuk do të hedhim në treg, dhe as nuk kemi plane të hedhim në treg një monedhë të këtij lloji,” shkruhet në njoftimin zyrtar.

Mediat vendase raportuan më 19 shtator se burime nga INCM kishin konfirmuar se lajmi është i rremë. “Imazhet që po publikohen janë krijuar në mënyrë dixhitale, ndoshta duke përdorur inteligjencën artificiale (AI) dhe nuk korrespondojnë me asnjë produkt zyrtar të INCM”, tha burimi.