Në hyrje të shkollës “Avni Rustemi” nuk është vënë flamuri i LGBT, siç aludohet në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Drejtoresha e shkollës sqaron për Faktoje se ngjyrat e sloganit përfaqësojnë “ngjyrat e jetës dhe të larmisë fëminore” dhe se ai është vënë 10 vite më parë.
Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale më 15 qershor pretendon se në hyrje të shkollës “Avni Rustemi” në Tiranë është vënë një flamur i komunitetit LGBT.
“Ne prindërit nuk jemi dakord. Vendosja e flamurit gay në një nga shkollat e Tiranës pa pëlqimin e prindërve është një veprim i papërgjegjshëm nga drejtori dhe stafi pedagogjik i saj”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Për të ilustruar këtë pretendim, është përdorur një foto e hyrjes kryesore të shkollës publike, ku mbi një shirit shumëngjyrësh shkruhet: “Dije, edukim, zbatim”. Është pikërisht ky shirit i printuar në formatin e një tabele që pretendohet se simbolizon flamurin me ngjyrat e ylberit të komunitetit LGBT.
Sipas pretendimeve të përdoruesve të rrjeteve sociale ky slogan lidhjet me komunitetin LGBT, duke shtuar më tej: “Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me axhendën gay dhe politizimin e saj në këtë lloj niveli institucional.”
Nëse do të shohim komentet vihet re një gjuhë urrejtje dhe revoltë nga ana e prindërve, të clët kërkojnë të hiqet ky “flamur”. Komentet e mëtejshme më pas bëjnë të ditur se ky flamur ishte hequr “pas presonit të bërë nga ana e prindërve”.
Foto e publikuar nga prindërit në komente
Por, çfarë simbolizon ky slogan në hyrje të shkollës? “Faktoje” kontaktoi drejtoreshën e shkollës “Avni Rustemi”, zonjën Agetina Haxhiu, e cila sqaroi se ngjyrat nuk kanë të bëjnë me flamurin e LGBT dhe se ky slogan në hyrje të shkollës është vënë shumë kohë më parë.
“Nuk ka aspak lidhje me flamurin LGBT, por ka lidhje me ngjyrat e jetës dhe të larmisë fëminore. Është vënë para dhjetë vjetësh dhe është hequr së fundmi, sepse në shkollë kanë filluar punimet për rikonstruksionin e saj. Është për të ardhur keq, që ka njerëz që nuk kanë me çfarë të merren dhe çfarë të bëjnë”, thekson drejtoresha e shkollës.
Flamuri i ylberit, i njohur gjithashtu si flamuri i krenarisë së LGBT është një simbol i krenarisë së lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT) dhe lëvizjeve sociale LGBT. Kuptimi i tij lidhet me diversitetin dhe respektimin e të drejtave të homoseksualëve.
Flamuri aktual i krenarisë së LGBT ka 6 vija. Ngjyrat që e kompozojnë janë: e kuqja, portokallia, e verdha, jeshilja, blu dhe vjollca. Ajo simbolizon diversitetin dhe konceptet si jeta, shëndeti, rrezet e diellit, natyra, qetësia dhe shpirti.
Pra, formati i duhur e simbolit të LGBT fillon me ngjyrën e kuqe lart, ndryshe nga tabela në shkollë 9-vjeçare.
Tabela në hyrje të shkollës “Avni Rustami”