BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI pasaktë lajmi për Turqinë në gatishmëri për luftë me Greqinë

I pasaktë lajmi për Turqinë në gatishmëri për luftë me Greqinë

Lajmi për përgatitjet e Turqisë për sulmin grek ndaj bazave të tyre ushtarake është keqinterpretuar nga disa media. “Faktoje” verifikoi artikullin origjinal, që ka shërbyer si pikënisje e këtij artikulli alarmues, për të zbuluar se opinion i gazetarit turk është përkthyer në një formë jo të saktë.

 

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë, mbeten të ndezura prej dekadash nga retorika politike e udhëheqësve në të dyja vendet. Së fundi, lufta në Ukrainë dhe rritja e rolit të Turqisë në sigurimin e Detit të Zi nga përhapja e një tjetër fronti luftimesh, ka krijuar më shumë “nxehtësi” në fjalimet e presidentit Erdogan.

Sigurisht që në Shqipëri, çdo lajm për një konflikt mes fqinjëve tanë jugorë, tërheq vëmendjen e lexuesve. Për këtë arsye një lajm i publikuar më 28 shtator nga portali Fjala.al, me titull “Erë lufte në rajon! Turqit bëhen gati, ja çfarë do të sulmojnë fillimisht grekët.”,  ka tërhequr mbi 2,500 klikime në rrjet.

Screenshot nga portali Fjala.al

 

Përmes këtij titulli, portali Fjala.al e bën fakt nisjen e një konflikti mes Turqisë dhe Greqisë, në një kohë që tensionet mes dy vendeve janë shtuar. Ndërkohë, shkrimi i referohet një analize të bërë në gazetën turke “Milliyet” nga gazetari Güneri Cıvaoğlu me titull “Greqia vazhdon të “mburret” apo të “kruhet” në Egje.

Screenshot nga gazeta turke Milliyet

Ndryshe nga titulli që synon hapur të fitojë klikime, në shkrim fillimisht flitet për tensionet e rritura ndjeshëm mes dy vendeve duke ju referuar analizës së gazetarit Güneri Cıvaoğlu.

Tensionet mes dy Turqisë dhe Greqisë janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, në një kohë kur ekspertët ndërkombëtare vlerësojnë se situata e nderë do të vijojë, madje mund të shkohet edhe në ndonjë përplasje sporadike për faktin se në Turqi ka zgjedhje pranverën e vitit të ardhshëm dhe treguesit nuk janë në favor të partisë në pushtet.” – shkruhet në artikullin e publikuar nga portali për të vijuar më tej me një fjali të përkthyer keq, e cila të jep idenë e nisjes së luftës Greqi-Truqi.

Ata planifikojnë të na godasin fillimisht në Eskisehir si edhe fabrikat e prodhimit të dronëve Bayraktar, apo fabrikat e tjera si ASELSAN, ROKETSAN, AVELSAN, TUBITAK, etj”, shkruan Fjala.al.

Sipas verifikimit të bërë nga “Faktoje” rezulton se artikulli flet për rrezikun e një konflikti të mundshëm mes dy vendeve, por nuk e bën asnjëherë fakt të kryer nisjen e luftës mes Turqisë dhe Greqisë.

Edhe fjalitë e përkthyera nga shkrimi original janë të dala nga konteksi. Në analizën e gazetarit turk shkruhet: “Përshtypjet e mia janë se në rast të një konflikti të mundshëm, objektivi është “goditja e industrisë së luftës së Turqisë…Epo… Fabrika e avionëve Eskişehir me vlerë 16 miliardë dollarë, Roketsan, Aselsan, Havelsan, Tübitak, 2 objektet e THK në Konia, Ankara dhe Eskişehir.”

Screenshot nga gazeta turke Milliyet

 

Në një përkthim më të qetë të analizës së gazetarit turk, tashmë në një moshë të thyer, kuptohet se ai shpreh mendimet e tij për disa pika strategjike të ushtrisë turke, në rast të një sulmi të mundshëm nga fqinji grek. Është e pasaktë të prezantohen këto mendime personale të një gazetari, si një qëndrim zyrtar i Turqisë për vendosjen në gatishmëri dhe përgatitje për luftë me Greqinë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

 

 

 

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img