Pretendimi se dhjetëra mijë vdekje në Zelandën e Re kanë lidhje me vaksinimin Covid-19 është i rremë. Sipas autoriteteve zyrtare vendase, vetëm 4 vdekje në Zelandën e Re janë gjetur të kenë lidhje me vaksinën anti-Covid.
——————————————
Në hapësirat online anti-vaksinim po shpërndahet një video në të cilën Liz Gunn, një ish-gazetare dhe kandidate e një partie të vogël politike në Zelandën e Re, pretendon se dhjetëra mijëra vdekje në Zelandën e Re kanë lidhje me vaksinën anti-Covid.
Në videon që po qarkullon në rrjete sociale, Gunn pretendon se “shifrat tregojnë se ka dhjetëra mijëra vdekje të lidhura me vaksinat.”
“Ne pamë tek të dhënat se ka shumë grupime vdekjesh – njerëz që shkuan në të njejtin vend vaksinimi dhe u vaksinuan njëri pas tjetrit në orare të njëpasnjëshme në të njejtën ditë. I pamë datën e vaksinimit. I pamë datën e vdekjes,” thotë Gunn. “Në një ditë, 30 persona u vaksinuan në të njejtën ditë, në të njejtin vend. Tani të gjithë kanë vdekur.”
Megjithatë, ajo nuk i tregon shifrat në fjalë, apo ndonjë tjetër provë për këto pretendime. Ajo mjaftohet duke thënë se informacioni vjen nga bilbilfryrës anonimë.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë e Zelandës së Re, ka patur vetëm 4 vdekje që mund të kenë lidhje me vaksinat anti-Covid.
Chris James, menaxher grupi në Medsafe, institucionin rregullator të barnave në Zelandën e Re, tha për AAP se “nuk ka prova që e mbështesin këtë pretendim [të Gunn].” “Nuk ka vdekje të raportuara tek Medsafe që përkojnë me pretendimin,” tha ai.
Dr. Christian Marchello, menaxher i sigurisë së vaksinave në Ministrinë e Shëndetësisë neozelandeze, tha se “nuk ka prova që vaksinimi anti-Covid është përgjegjës për vdekshmërinë e tepërt në Zelandën e Re.”
Qendra Këshillimore e Imunizimit, institucioni që koordinon programet e imunizimit në vend, tha se pretendimet e grupimeve të vdekjeve në klinika ishin të pavërteta.
Joan Ingram, këshilltarja mjekësore e Qendrës tha për AAP se “çdo lloj grupimi vdekjesh apo efektesh të padëshiruara do të hetoheshin urgjentisht për të identifikuar shkakun.”
Çdo vdekje e raportuar që pason vaksinimin hetohet nga Qendra për Monitorimin e Efekteve të Padëshiruar (CARM) dhe Medsafe. Bordi i Pavarur i Monitorimit të Sigurisë së Vaksinave Covid-19 (CV-ISMB) shqyrton të gjithë reagimet serioze ndaj vaksinës, përfshi edhe vdekjet.
Gjatë fushatave fillestare të vaksinimit, Medsafe tha se raportime efektesh të padëshiruara të vaksinës anti-Covid u hetuan dhe përfundimet publikoheshin në raporte sigurie rregullisht.
Medsafe tha se 184 vdekje u raportuan tek CARM deri në 30 nëntor 2023, pas vaksinës Pfizer.
Vlerësimet mjekësore arritën në përfundimin se 163 prej tyre nuk kishte gjasa të kishin lidhje me vaksinën, ndërsa 15 të tjera nuk mund të vlerësoheshin për shkak të informacionit të pamjaftueshëm.
Një mjek ligjor përcaktoi se dy vdekje ishin si pasojë e miokarditit pas një doze të parë vaksine, dy vdekje u konsideruan që mund të ishin të lidhura me miokarditin e shkaktuar nga vaksina, dhe dy vdekje janë ende nën hetim.
Dr. Marchello nënvizoi se këto vdekje duhet të shihen “në konteksitn e 3361 njerëzve që kanë vdekur si pasojë direkte e Covid-19 në Zelandën e Re.”