I pabazë pretendimi i mjekut për rritjen e turbo-kancereve

8

Pretendimi: Të rinjtë e vaksinuar me vaksinat anti-Covid mRNA, të moshës 20, 30 dhe 40 vjeç, po zhvillojnë turbo-kancer shumë agresiv

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon një “mjek të njohur të onkologjisë” që deklaron se persona 20-40 vjeç që kanë marrë vaksinën anti-Covid po zhvillojnë “turbo-kancer shumë agresiv.”

Megjithatë, si zakonisht, nuk jepet asnjë provë, dëshmi apo referencë për të mbështetur këtë pretendim. Madje as emri i ‘onkologut të mirënjohur’ nuk jepet.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon nga është shkëputur klipi i mësipërm. Ajo është postuar më 20 tetor 2023 nga Jim Ferguson dhe tregon një intervistë me një “Dr. William Makis nga Wellness Company.” 

Ferguson është një ish-anëtar i partisë politike britanike Reform UK, e njohur më parë si Partia Brexit, dhe themelues i platformës International Freedom Train, e cila kritikon vaksinimin masiv.

Ndërkaq, The Wellness Company, është një klinikë private e cila shet një shumëllojshmëri suplementesh që, ndër të tjera, pretendohet se mbrojnë kundër “dëmeve nga vaksina anti-Covid.” Nuk është hera e parë që mjekë që paguhen nga kjo klinikë pretendojnë publikisht dhe pa prova se vaksina anti-Covid është e dëmshme. Arsyet, si dhe konflikti i interesit, janë të dukshme.

Ndryshe nga ç’pretendon postimi i mësipërm, William Makis nuk është onkolog. Ai është radiolog i mjekësisë bërthamore, sipas profilit të tij në ResearchGate si dhe një vendimi ligjor.

Më tej, Shoqata Mjekësore Kanadeze ia ka hequr licensën mjekësore Makis për “sjellje joprofesionale,” dhe në mars 2026, një gjykatë kanadeze dha një urdhër të përhershëm që e ndalonte atë nga ushtrimi i mjekësisë, ofrimi i shërbimeve shëndetësore ose përdorimi i titujve të mbrojtur mjekësorë.

David Gorski, udhëheqës i një projekti për kancerin e gjirit në Iniciativën e Onkologjisë së Gjirit në Michigan në Shtetet e Bashkuara, tha për AFP se onkologët nuk e përdorin termin “turbo kancer.” Një kërkim për këtë term në bazën e të dhënave të publikimeve mjekësore PubMed gjithashtu nuk dha ndonjë rezultat të qenësishëm.

Lyonora Saxinger, një profesoreshë e specializuar në sëmundjet infektive në Departamentin e Mjekësisë dhe Stomatologjisë në Universitetin e Albertës në Kanada, tha për AFP se nuk ka prova të një rritjeje të papritur të shkallës së kancerit si rezultat i vaksinimeve.

“Nuk ka prova të një rritjeje të papritur të numrit të kancereve”, tha Saxinger. Megjithatë, ajo shpjegoi se disa raste do të zbuloheshin më vonë për shkak të vonesave në diagnostikim gjatë kufizimeve të pandemisë, të cilat ngadalësuan aksesin në kujdesin shëndetësor.

“Numri i kancerit është rritur në mbarë botën për shkak të popullsisë në plakje dhe faktorëve të tjerë. Prandaj, është e rëndësishme të vëzhgohen trendet gjatë disa viteve dhe normat e incidencës të normalizuara sipas moshës sa herë që është e mundur”, shtoi Saxinger.

Një raport nga Statistikat Kanadeze të Kancerit, i cili parashikon shifra për vitin 2023, thotë se “Numri i rasteve të kancerit të diagnostikuara çdo vit është rritur kryesisht për shkak të rritjes dhe plakjes së popullsisë [kanadeze]”, dhe nuk përmend ndikimin e vaksinave në numrin e rasteve të kancerit.

Në fakt, nuk ekziston asnjë studim i shkallës së gjerë që të tregojë se vaksinat shkaktojnë ose përkeqësojnë rastet e kancerit. Për shembull, organizata Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për studimin e kancerit, konfirmon se nuk ka asnjë provë që tregon një lidhje midis vaksinave kundër COVID-19 dhe kancerit. Qendra akademike për studimet shkencore në SHBA, Mayo Clinic, vërteton po ashtu që pretendimet se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë kancer janë të pabaza.