Pretendimi: Autizmi shkaktohet nga “metalet e rënda” që ndodhen tek vaksinat
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Në rrjetet sociale vijon të qarkullojë pretendimi i gabuar se autizmi shkaktohet nga vaksinat.
Posteri i mësipërm duket se tregon një listë rastesh të autizmit në intervale të rastësishme mes 1970 dhe 2017. Ai përmban gjithashtu një referencë nga faqja zyrtare e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
Megjithatë, nëse lexuesi viziton faqen e cituar, nuk do të gjejë shifrat e shkruara në poster, por një sondazh që vlerëson incidencën e çrregullimeve zhvillimore tek fëmijët dhe adoleshentët 3-17 vjeç.
Shifrat e paraqitura, pra, i referohen përgjigjeve të dhëna dhe jo diagnozave. Për më tepër, një spektër i gjerë i çrregullimeve zhvillimore, jo vetëm autizmi, janë objekt i sondazhit. Bazuar në përgjigjet e prindërve dhe kujdestarëve, diagnozat e autizmit në SHBA midis moshës 3 dhe 17 vjeç në vitin 2016 ndodhën në 2.76% të rasteve, ose afërsisht 1 në 36. Disa nga shifrat mund të gjenden në një faqe tjetër të CDC ku gjenden diagnozat e bëra tek fëmijët 8 vjeç vetëm për autizëm.
Në tabelën më poshtë gjenden të dhënat, të cilat në disa vite (2000, 2006 dhe 2008) korrespondojnë me ato në poster.
Përtej asaj që shkruhet në poster, duket qartë se numri i fëmijëve që marrin diagnozën e autizmit në SHBA ka vite që po rritet. Arsyet janë të ndryshme. Pjesa më e madhe e rritjes së numrit të diagnozave është për shkak të një aftësie më të mirë të mjekëve dhe sistemit shëndetësor për të njohur, gjurmuar dhe drejtuar këto raste në drejtimin e duhur.
Siç sqarohet në studime të shumta, dhe Faktoje ka shpjeguar më parë, nuk ka asnjë lidhje të provuar midis vaksinave dhe autizmit. Megjithatë, 83% e rasteve të autizmit mund të lidhen me faktorë gjenetikë të trashëguar.