Pretendimi: Aktori Morgan Freeman shprehet pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në këtë video.
Verdikti: Video e manipuluar
—————————————————–
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video që duket se tregon aktorin amerikan Morgan Freeman duke folur në mbështetje të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Pavarësisht mesazhit pozitiv që transmeton, për fat të keq, video e mësipërme duket se është manipuluar. Kjo duket veçanërisht në pjesën e gojës, e cila lëviz në mënyrë të panatyrshme.
Për të evituar ndonjë notë proteste nga autoritetet serbe ndaj kërcënimit të “Shqipërisë së madhe”, Faktoje vendosi të verifikojë më tej këtë video.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, zbulohet se në video gati identike vizualisht, Freeman flet për rivalitetin mes reperëve amerikanë Drake dhe Kendrick Lamar, promovon një kanal Youtube me më pak se 5 mijë ndjekës, dhe rekomandon shërbimet e një agjensie imobiliare.
Duket se pamjet e këtyre videove janë marrë nga një shfaqje e Freeman në emisionin televiziv The Graham Norton Show, më 7 prill 2017.
Gjatë emisionit, Freeman nuk flet në asnjë çast për Shqipërinë, Kosovën, e aq më pak bashkimin e tyre.
Ndërkohë, duket se videot e mësipërme janë gjeneruar me anë të një programi të inteligjencës artificiale të ofruar nga shërbimi Parrot AI, sepse shumica e tyre mbajnë logon e tij.
Në pak sekonda, dhe falas, Faktoje gjeneroi mesazhin e mëposhtëm zanor ‘ekskluziv’ nga Morgan Freeman.
Për më pak se 50 dollarë, përdoruesve u jepet mundësia për të gjeneruar edhe video, si ajo ku aktori amerikan promovon bashkimin etnik të shqiptarëve.